Bejtullai: Respekt për Kosovën por ne e duam kualifikimin në Euro 2020 - Gazeta Express
string(69) "bejtullai-respekt-per-kosoven-por-ne-e-duam-kualifikimin-ne-euro-2020"

Moral Pozhegu

16/03/2020 13:10

Bejtullai: Respekt për Kosovën por ne e duam kualifikimin në Euro 2020

Moral Pozhegu

16/03/2020 13:10

Egzon Bejtullai e ka shprehur respektin e tij maksimal për ekipin kombëtar të Kosovës para ndeshjes së 26 marsit. Qendërmbrojtësi shqiptar, në bisedë me “Gazetën Express” e pranon se kjo do të jetë një ndeshje e veçantë, duke e pasur parasysh edhe rëndësinë e saj. Futbollisti i Maqedonisë së Veriut e ka një mesazh edhe për tifozët

Egzon Bejtullai është njëri prej futbollistëve shqiptarë që e përfaqëson Maqedoninë dhe që do të përballet me Përfaqësuesen e Kosovës më 26 mars, shkruan Gazeta Express.

Lexo Edhe:

Qendërmbrojtësi i Helsingborgut po e pret me padurim ndeshjen gjysmëfinale të “Play-Offit” të Ligës së Kombeve ndaj “Dardanëve”, e cila pritet të zhvillohet pa praninë e shikuesve, nëse eventualisht UEFA nuk vendos për shtyrjen e saj përfundimisht nesër.

26 vjeçari thotë se kjo ndeshje është e rëndësisë së madhe pasi të dyja ekipet synojnë të kualifikohen në Kampionat Evropian.

Sidoqoftë, ai insiston se kjo është vetëm një ndeshje futbolli.

Egzon Bejtulai during the UEFA European Under-21 match between Spain and FYR Macedonia on June 17, 2017 in Gdynia, Poland. (Photo by MB Media)

“Rëndësia që e bart në vete kjo ndeshje dhe fakti që përmes këtij takimi dhe finales eventuale mund të sigurohet Kampionati Evropian, kuptohet se i jep përballjes një peshë tjetër dhe ju bind se secili futbollist, qoftë i Kosovës apo Maqedonisë, e pret me padurim. Normal që në mes nesh ekziston respekt i madh dhe i ndërsjellë dhe si profesionistë që jemi, e dimë se bëhet fjalë vetëm për një ndeshje futbolli”, deklaroi fillimisht Bejtullai për “Gazeta Express”.

Vendimi që ndeshja të zhvillohet pa shikues për shkak të koronavirusit nuk është pritur mirë nga askush, por shëndeti është mbi të gjitha.

Gjithsesi, futbollisti shqiptar thotë se mos-prania e shikuesve do ta bëjë më të zbehtë këtë lojë.

“Futbolli luhet për spektatorët dhe sigurisht që, të luash pa tifozë nuk është e njëjtë. Por, të presim e ta shohim vendimin përfundimtar, sepse e kam përshtypjen së për momentin asgjë nuk është e qartë, duke e parë shtrirjen që po e merr virusi korona në gjithë botën”, vazhdoi ai.

WARSZAWA, POLAND – OCTOBER 13: Egzon Bejtulai of North Macedonia during the EURO Qualifier match between Poland v FYR Macedonia at the Stadion Narodowy (Warszawa) on October 13, 2019 in Warszawa Poland (Photo by David S. Bustamante/Soccrates/Getty Images)

Bejtullai e ka një mesazh edhe për tifozët maqedonas dhe ata shqiptarë të Kosovës.

“Mesazhi im për të gjithë, jo vetëm për këtë ndeshje, por në përgjithësi për futbollin është që secili të kënaqet me ekipin që e do, ta mbështesë atë që ia do zemra dhe ta shijojnë futbollin si lojë universale me respekt për lojtarët e ekipit të tij, kundërshtarin dhe të gjithë përbërësit e një ndeshje futbolli”, shprehet tutje mbrojtësi stabil.

Bejtullai ka folur edhe për gjasat e Maqedonisë së Veriut për ta fituar ndeshjen me Kosovën.

“Në një ndeshje futbolli secili hyn me gjasat e tij dhe fusha është vendi ku për 90 apo 120 minuta duhet ta realizosh objektivin”, shton ai.

SKOPJE, NORTH MACEDONIA – June 10: Marko Arnautovic of Austria and Egzon Bejtulai of North Macedonia during the UEFA Euro 2020 qualifier match between North Macedonia and Austria at Telekom Arena on June 10, 2019 in Skopje, North Macedonia. (Photo by Chris Bauer/SEPA.Media /Getty Images)

Fituesi i këtij dueli do ta ketë mundësinë jetësore më pas që ta sigurojë kualifikimin historik në Euro 2020, me një fitore eventuale në finale ndaj Gjeorgjisë ose Bjellorusisë.

Për këtë mundësi të artë është i vetëdijshëm edhe vetë futbollisti shqiptar, i cili mund ta realizojë ëndrrën e tij për të luajtur në një Kampionat Evropian.

“Kjo është ajo që kësaj ndeshje i jep peshë jashtëzakonisht të madhe për të dyja përfaqësueset. Është një ëndërr e madhe për secilin dhe shumë e shumë gjenerata më parë, asnjëherë nuk janë gjetur para një rasti të këtillë. Duke e parë se edhe Kosova ashtu si ne, asnjëherë më parë nuk ka qenë në një Evropian për seniorë, rezulton që të jemi para ndeshjeve më të rëndësishme në histori. Edhe pse jo në kategori të seniorëve, por gjithsesi unë kam qenë me fat ta shijoj të qenit pjesë e një Evropiani pasi në vitin 2017 me Përfaqësuesen U-21 të Maqedonisë ishim pjesë e Evropianit në Poloni. Është diçka unike, që uroj ta bëjmë edhe me ekipin e seniorëve”, nënvizoi Bejtullai.

Kosova njihet për fazën e saj të “frikshme” ofanzive me lojtarët si Muriqi, Rashica, apo edhe të tjerët.

Megjithatë, Bejtullai nuk iu frikësohet sulmuesve të Kosovës, me të cilët do të ketë punë gjatë lojës.

“Respekt do të kem, por frikë nuk e kisha thënë. Mendoj se fjala frikë nuk duhet të përdoret në këtë rast, sepse është futboll dhe secili hyn me pretendimet për t’i shfrytëzuar anët e veta më të forta. Sigurisht, jo vetëm Muriqi e Rashica, por edhe lojtarët tjerë të Kosovës posedojnë cilësi të lartë dhe këtë e dëshmojnë kudo që luajnë. Por, jam i bindur se edhe ne i kemi cilësitë tona. Fusha do të tregojë se cila përfaqësuese në këtë moment qëndron më lartë. Gjithsesi, besoj në një ndeshje për t’u shijuar”, përfundoi Bejtullai.

Ndeshja në mes të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës është paraparë të luhet më 26 mars në Shkup, pa praninë e shikuesve.

UEFA do të vendosë përfundimisht nesër nëse do të shtyhet apo jo kjo lojë. /Gazeta Express/