Triumfi i Barcelonës në El Clasico ndaj Real Madridit nuk ishte vetëm një fitore për titullin kampion, por edhe një sukses emocional për Hansi Flick.
Pas ndeshjes, lojtarët “Blaugrana” ia dedikuan trajnerit gjerman fitoren dhe titullin, duke e treguar lidhjen e fortë që është krijuar brenda skuadrës.
Barcelona triumfoi 2-0 ndaj rivalit historik në “Camp Nou”, rezultat që e vulosi matematikisht titullin e La Ligës për katalunasit, shkruan “Gazeta Express”.
Por mbrëmja kishte edhe një peshë të veçantë emocionale për Flickun, i cili kishte e humbur të atin vetëm pak orë para ndeshjes.
Pas vërshëllimës finale, shumë lojtarë të Barcelonës u panë duke e përqafuar trajnerin, ndërsa në dhomat e zhveshjes nuk munguan dedikimet për trajnerin gjerman.
Sipas mediave spanjolle, disa futbollistë deklaruan: “E fituam Clasicon për të”.
Një nga më emocionuesit ishte Raphinha, i cili foli me superlativa për Flickun pas ndeshjes.
“Ai është si një baba për ne”, deklaroi braziliani, duke e theksuar ndikimin e madh që trajneri e ka pasur në grup dhe në rikthimin e besimit te skuadra.
Edhe vetë Flick mezi i mbajti lotët gjatë festimeve. “Nuk do ta harroj kurrë këtë moment”, tha trajneri gjerman, ndërsa tifozët e Barcelonës thërrisnin emrin e tij në stadium.
Që prej ardhjes në “Camp Nou”, Flick e ka krijuar një identitet të ri te Barcelona dhe e ka rikthyer mentalitetin fitues te skuadra.
Titulli i fituar në El Clasico konsiderohet nga shumë tifozë si simboli perfekt i epokës së re “Blaugrana”. /Gazeta Express