Bajraj: Poezia, para se të jetë komunikim me lexuesin, është komunikim me vetë autorin - Gazeta Express
string(83) "bajraj-poezia-para-se-te-jete-komunikim-me-lexuesin-eshte-komunikim-me-vete-autorin"

Bajraj: Poezia, para se të jetë komunikim me lexuesin, është komunikim me vetë autorin

Arte

Gazeta Express

14/03/2022 12:06

Intervistë me poetin Xhevdet Bajraj, i shpërblyer nga Ministria e Kulturës  me çmimin për poezi ‘Ali Podrimja’ për përmbledhjen “Burri që lozte me engjëjt”

Xhevdet Bajraj, poet, përkthyes, botoi librin e parë, ‘‘Emblema e Vdekjes’’, më 1993, (libri u shpërblye me çmimin për librin më të mirë të poezisë, nga Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës.

Lexo Edhe:

Në prill të vitit 1999 Bajraj u dëbua nga shtëpia nga forcat serbe. Bashkë me gruan dhe të dy fëmijët e tij u vendos përkohësisht në Francë. Ndërkohë, Parlamenti Ndërkombëtar i Shkrimtarëve, përmes programit për shkrimtarët e persekutuar, i ofroi mundësinë të zgjidhte strehimin mes Francës, Italisë ose Meksikës. Bajraj zgjodhi të jetonte në Meksiko City, ku tashmë është mësimdhënës në Autonomus University of Mexico City.

Krijimtaria e tij në vijim është vlerësuar me çmime të ndryshme. Në vitin 2000 mori çmimin e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, Çmimi Ndërkombëtar i Goliardos për Poezi në vitin 2004, çmimim për dramën më të mirë origjinale të shkruar në gjuhën shqipe në 2013 nga Festivali Monodrama në Vlorë. Më 2015, çmimin për poezinë më të mirë të paraqitur në Panairin Ndërkombëtar të Prishtinës.

Bajraj po ashtu është shpërblyer me Çmimi për veprën më të mirë në poezi, “Ali Podrimja”, për përmbledhjen “Kur qajnë hardhitë”, për vitin 2019. I njëjti çmim, i Ministrisë së Kulturës, i është ndarë edhe këtë vit, për përmbledhjen “Burri që lozte me engjëjt”, botuar nga shtëpia botuese Armagedon.

Në një intervistë ekskluzive për Gazetën Express, Bajraj flet për librin e tij të vlerësuar me çmimin Ali Podrimja, për qëndrimin e tij kritik ndaj Ministrisë së Kulturës që e ndan pikërisht atë çmim si dhe përkrahjen e tij ndaj ndryshimeve politike në vend.

Poeti hap një derë dhe sheh brenda një burrë që tërë jetën e tij kishte lozur me engjëj

Gazeta Express: Si lindi ideja për krijimin e poezive rreth një personazhi shurdhmemec, a kemi të bëjmë me një histori të vërtetë?

Xhevdet Bajraj: Ideja lindi kur më vdiq xhaxhai që ishte shurdhmemec. Lajmet për vdekjet e familjarëve, miqve, të njohurve jehojnë shumë më fuqishëm në jetën e një kurbetçari, e kam fjalën për gjeneratën e parë të tyre. Ia përkujtojnë dhimbshëm mungesën e tij në atdhe. Ai vetë është një fryt i rënë nga lisi i jetës, së bashku me familjen e tij në kurbet, shndërrohet në një degë të thyer të atij lisi. Kur kthehemi në atë lis, shohim që mungojnë çerdhe apo ato janë aty, por kanë mbetur përgjithmonë të zbrazura, mungojnë frytet e saj, degët, i mungon ti atij lisi.

E tash po kthehem te xhaxhai im. Paramendojeni një njeri që tërë jetën e tij nuk mund të dëgjojë, që nuk mund të flasë me gojë, që nuk e di çfarë zëri ka gruaja, fëmijët, prindërit, bashkëfshatarët, miqtë. Që nuk ua dinte emrat prandaj i duhej t’i emëronte me një apo dy lëvizje gishti. Iu desh t’i emëronte arat, livadhet, malet, ta emëronte edhe fshatin e vet, fshatrat fqinj etj. etj. Do të thotë që ai fliste me një gjuhë të shpikur nga ai vetë, natyrisht, as me shurdhmemecë të tjerë, të paktë, në komunën e Rahovecit apo  të Malishevës ai nuk kuptohej. Për fat të mirë, që të mos jetë e tëra tragjike, gruaja e tij, fëmijët e tij, vëllezërit, nipat, ndonjë fqinj (dikush më shumë e dikush më pak) e kishin mësuar gjuhën e tij.

Ideja? Thjesht vdekja e tij më bëri ta shoh një derë e cila në të vërtetë gjithmonë ka qenë dhe do të mbetet e hapur. Hyra në të dhe e pashë një burrë që tërë jetën e tij kishte lozur me engjëj.

GE: Sa kohë ju ka marrë të shkruani librin?

XhB.: Ishte viti 2020, Covid 19 e kërcënonte njerëzimin, në universitetin ku punoj  filluan orët online/virtuale, kështu që kisha mjaft kohë për poezi. Punoja me një ritëm të shpejt në dy libra të tjerë: “Me zemër në qese najloni”(Sh. B. “Armagedoni”, 2021) dhe  “Unaza e Saturnit”(shpresoj që këtë vit do ta botojë po ashtu “Armagedoni”, një vëllim me poezi të dashurisë.) Vdiq xhaxhai, dhimbja dhe dashuria për të e bënë të veten.

Shkruaja pothuajse pa u ndalur. Nuk mund të jem i saktë, e kam shkruar shpejt, por koha në letërsi mbase rrjedh ndryshe, për mua ishte ta zëmë, tërë jeta e tij dhe jeta ime deri në ditën e vdekjes së tij.

GE: A kemi pasur të bëjmë me ngjarje kronologjike apo ngjarjet janë vendosur në mënyrë të rastësishme?

XhB.: Natyrisht që ka të bëjë me ngjarje kronologjike. Në librat e mi as një ngjarje a poezi nuk është e vendosur në mënyrë të rastësishme. Poezia, letërsia në përgjithësi është komunikim me lexuesin. Por para se të jetë komunikim me lexuesin, ajo është komunikim me vetë autorin. Nuk mund të jetë ndryshe.

GE: Cila është ndërlidhja e personazhit me Zotin?

XhB.: Xhaxhai im quhej Muhamet. Por lidhja e tij me Zotin ka qenë pa ndërmjetësimin e hoxhës, ndoshta nëpërmjet të nënës së tij, gruas, fëmijëve, nipave e mbesave. Një ndërlidhje e sinqertë, e virgjër, që i është dashur ta hapë vetë, natyrisht, nëpërmjet dashurisë që e kishte mësuar derisa lozte me engjëj.

GE: Ka mjaft pjesë satirike mes rreshtave në këtë poezi. A vjen si risi te poezia juaj, apo ishte e pranishme tashmë?

XhB.: Satira nuk është risi në poezinë time, ajo qëmoti është e pranishme në librat e mi. I ndihmon asaj pjese që mund të quhet poezi e angazhuar.

Ministria e Kulturës nuk është koti, por është e rrezikshme, sepse i majmë parazitët, gënjeshtarët, mashtruesit.

GE: .Z. Bajraj, në disa intervista të paracakohshme keni qenë mjaft kritik ndaj Ministrisë së Kulturës, madje duke konsideruar se kjo ministri ndan çmime për libra që vdesin më shpejt se vetë autorët e tyre. Pastaj ndodhi që çmimi t’ju ndahej vetë juve dhe si për ironi të fatit, dy ndër autorët që dikur e kishin marrë çmimin, qenë në juri që e ndau çmimin për ju. Nëse do të flisnim më konkretisht, cilët do të mund të ishin këta autorët fatlumë që jetojnë më gjatë se veprat e tyre të shpërblyera? A është ende e njëjta ministri koti?

XhB.: Të shpërblyer apo të pashpërblyer, ata pak autorë të cilën do të mund të shuhen fizikisht e veprat e tyre do të mbijetojnë mund të numërohen në gjysmën e gishtave të një dore. Mund t’i zgjedhni dy-tre gishta, por gishtin e vogël nuk mund ta lini anash.

Unë nuk kam asgjë kundër shpërblimeve, po ashtu do të shkruaja edhe po të mos ekzistonin ato. Por ky nuk është shpërblimi im i parë nga Ministria dhe mos harroni që në përzgjedhjen e librave ministri nuk hyn në punë. Shpërblimet gjithkund i ndajnë juritë profesionale (që jo gjithmonë janë profesionale) e jo Ministria e Kulturës. Pra, nuk i lexojnë librat ministrat apo punëtorët e ministrisë, mbase edhe i lexon ndonjëri, por kjo s’ka lidhje me shpërblimet. Problemi është te juritë, te Këshilli i librit. Përgjegjësia e Ministrisë nis me emërimin e jurive, anëtarëve të Këshillit të Librit.

Politika kulturore kosovare që nga çlirimi është karakterizuar me mbështetje ndaj krijuesve letrarë, por kurrë nuk ka pasur një politikë të frytshme. Pra, nuk është faji te Ministria, por te krijuesit. Sidomos te ata krijues që pranojnë të futen nëpër juri dhe në Këshill të Librit e që për fat të keq nuk janë krijues, nuk e njohin letërsinë e si pasojë e kësaj, as tendencat e letërsisë sot në regjion e në botë. Si rezultat i kësaj po del që i kemi ca anëtarë të zgjedhur që punojnë zellshëm, me vrull, në shkatërrimin e letërsisë. Natyrisht, jo të gjithë janë të tillë, por shpesh ndodh që ata që nuk janë të tillë mbivotohen gjatë marrjes së vendimeve.

Që të kuptoni më qartë qëndrimin tim ndaj kësaj çështjeje, kërkojini nga Ministria të dhënat për librat e shpërblyer që kur ka filluar t’i ndajë çmimet, përbërjen e jurisë, si ka votuar çdo anëtar i jurisë, pastaj kërkojini të dhënat e librave të financuar nga Ministria dhe si ka votuar çdo anëtar i Këshillit të Librit, kërkojini të dhënat e Këshillit të Librit për listën e librave të blerë për nevoja të bibliotekave, si kanë votuar veç e veç çdo anëtar i këtij Këshilli. Në këtë mënyrë jo vetëm që do ta kuptoni se për çfarë po flas, por do ta mësoni se si rezultat i veprimeve të tilla sot kemi një kënetë të madhe që disave ua ka ëndja ta quajnë letërsi kosovare, e që e përbën një kor të madh të bretkosave, e derisa këto kuakin, parazitë të të gjitha llojeve e ngjyrave politike dhe apolitike, në rehati të plotë ia thithin jetën letërsisë, bile së paku, këndej anës së kufirit.

Paramendojeni një djalë të ri apo një vajzë të re që dëshiron t’i përkushtohet letërsisë. Njëra nga rrugët më të logjikshme që ata të avancojnë, do të ishte që ai apo ajo t’i marrin si referencë librat e shpërblyer. E cili do të jetë rezultati? Temë e gjatë kjo kështu që po e lëmë për një herë tjetër.

Si pasojë e kësaj, sa i përket Ministrisë së Kulturës, po e shfrytëzoj rastin të  precizohem, ajo nuk është koti, por është e rrezikshme sepse i majmë parazitët, gënjeshtarët, mashtruesit.

Edhe diçka për parazitët, gjithmonë kam pasur një kureshtje të madhe, a thua kush i ka edukuar për të qenë parazitë, nuk më duket normale që këtë ta kenë bërë prindërit e tyre, ashtu siç nuk më duket normale që të ketë kaq shumë parazitë në një popull kaq të vogël.

GE: .Duke mbetur te Ministria e Kulturës, shpesh ju keni hedhur fjalën se pak a shumë është një institucion pothuajse i kotë. Po ju shkëpusim një pjesë nga një intervistë: «Sidoqoftë, punoja në tre libra njëkohësisht sepse poezia ime ngutej, “Me zemër në qese najloni” ngutej, e kisha ndjenjën që një epokë po përfundonte, se po vinte Albini, se Albinin e njihja, se Albini e donte, e njihte artin (dhe e njeh dhe e do). Për një moment kisha harruar se sa punë e prisnin Albinin, pata harruar se në T7 gjatë zgjedhjeve parlamentare të vitit 2019 pat deklaruar se: për Ministrinë e Kulturës… (se aty përfshihen edhe sporti e rinia???) do të flas atëherë kur në Kosovë do të ketë kulturë. Kështu që s’më mbetet gjë tjetër përveçse ta respektoj këtë deklaratë, mund të them se edhe pajtohem plotësisht me të…».

Z. Bajraj, vërtet mendoni se një (kandidat për) kryeministër mund të vendosë çka është kulturë e çka jo? Apo se Albini do të na e sjellka kulturën?

XhB.: Po vjen një epokë e re, një rend i ri botëror. Evropën po e kërcënojnë, po e përkujtojnë se mund të shndërrohet në një kontinent të shkretë. Një botë ashtu si e njohim po rrënohet, po lind një botë e re, e ne, në mungesë të gazetave a revistave të shtypura, bëjmë kapela me letër të thasëve të miellit, themi që jemi ushtarë, pimë birra para dyerve të shitoreve, flemë rehat sepse, ah, po, e kemi NATO-n brenda, ndërsa ju po më pyesni nëse kryeministri mund të vendosë çka është kulturë e çka jo. Z. Kurti nuk do të vendosë dhe nuk pretendon të vendosë se çka është kulturë e çka nuk është. Ndërsa në pyetjen nëse Z. Kurti do të na sjellë apo jo kulturën mund të them se elita jonë politike e pasluftës, pra elita që na e solli liria (dhe jo e kundërta) e shndërroi Kosovën në një kënetë, kështu që z. Kurti, si të gjithë kryeministrat e mëparshëm, e ka rastin ta thajë atë kënetë dhe të detyrojë korin e bretkosave që të hiqet prej aty dhe ta kërkojë një kënetë tjetër. Apo tek e fundit ato mund të jetojnë edhe në tokë edhe në ujë, prandaj Ministrisë për Kulturë nuk i përket të merret me to. Dhe po, pavarësisht se kush është në pushtet, kulturën apo artin do ta sjellin artistët, është detyrë e tyre kjo, tek e fundit, ata jetojnë për ta bërë këtë.

Pra, optimizmi im në lidhje me fillimin e një etape të re në Kosovë ka të bëjë me ofrimin e një mundësie të re për t’i ndryshuar gjërat, për t’i mbyllur rrugën të keqes që ka lulëzuar për dy dekada. Ardhja e Albinit është sinonim i ardhjes së një brezi të ri politikanësh me kulturë e horizont të gjerë intelektual, gjë që jep shpresë për një qasje të re edhe ndaj politikave kulturore, për krijimin e klimës së përshtatshme që të ketë progres edhe në fushën e artit.

GE: A po përgatitni ndonjë libër të radhës?

XhB.: Natyrisht, unë jetoj derisa shkruaj, unë jetoj për të shkruar.

/Intervistuan: Donjeta Abazi, A. Idrizi/Gazeta Express