Legjendari Roberto Baggio ka dhënë mendimin e tij mbi problemet që rrethojnë kombëtaren italiane dhe beson se ekziston vetëm një mënyrë për ta “rregulluar” skuadrën e Gennaro Gattusos: “Më pak të huaj dhe më shumë hapësira për të rinjtë”.
Legjenda e “Azzurrëve” ishte i ftuar në “World Sports Summit” në Dubai dhe foli së bashku me vajzën e tij në një intervistë me ish-shokun e skuadrës, Alessandro Del Piero.
Ka qenë një vit i vështirë për familjen Baggio, të cilët në vitin 2024 ishin viktima të një grabitjeje me armë në shtëpinë e tyre.
“Më ndryshoi mënyrën si e shoh jetën,” i tha Baggio Del Pieros (përmes “La Gazzetta dello Sport”).
Fatmirësisht, askush nga familja Baggio nuk u lëndua gjatë grabitjes dhe “Il Divin Codino” po kthehet gradualisht në një jetë “normale”: “Kjo përvojë na afroi edhe më shumë me njëri-tjetrin dhe i dha edhe më shumë energji kësaj lidhjeje. Të jesh prind është puna më e vështirë, gjithmonë do të gabosh, por dashuria për familjen tënde gjithmonë do të shkëlqejë”.
Baggio u pyet nëse e kupton pse kaq shumë tifozë të futbollit italian vazhdojnë ta idhullizojnë edhe pas kaq shumë vitesh.
“Është e vështirë të gjesh fjalët e duhura,” shpjegoi ai.
“Unë thjesht u përpoqa të luaja me dashuri dhe pasion të pafund për sportin dhe futbollin. U përpoqa të isha personi më i mirë i mundshëm. Nuk është e lehtë, por ndoshta për këtë arsye kam prekur zemrat e kaq shumë njerëzve. Të gjithë kemi momente të mira dhe të këqija, por ajo që bëjmë në momentet e vështira është ajo që ka rëndësi. Aty tregohet se kush jemi në jetë”, tha ai.
Del Piero e pyeti gjithashtu Baggion për besimin e tij budist: “E praktikoj prej 38 vitesh dhe jam përjetësisht mirënjohës ndaj atyre që më afruan me të,” tha Baggio.
“Më ka ndryshuar për mirë, ma ka ndryshuar jetën në mënyrë të thellë. Nëse jemi pozitivë, mund t’i bëjmë pozitivë edhe ata përreth nesh dhe të ndryshojmë ambientin që na rrethon. Ky është thelbi i Budizmit. Nëse nuk jemi të lumtur, asgjë nga këto nuk është e mundur. Nuk ua kam imponuar fëmijëve të mi; Valentina (vajza ime), për shembull, nuk është budiste”, shtoi ai.
Në fund, Baggio dha verdiktin e tij për gjendjen aktuale të kombëtares italiane.
“Nuk ka hapësirë për lojtarët tanë dhe kombëtarja po vuan,” tha ai.
“Në Kupën e Botës ‘time’, ekzistonte një bosht i qartë i skuadrës dhe pjesa tjetër ndërtohej rreth tij. Më pak të huaj dhe më shumë mundësi për të rinjtë, ata janë e ardhmja. Ky është mendimi im”, përfundoi ai./GazetaExpress/