Atlanta merr avantazhin ndaj Knicks, Celtics e Clippers bëjnë detyrën - Gazeta Express
string(68) "atlanta-merr-avantazhin-ndaj-knicks-celtics-e-clippers-bejne-detyren"

Sport

Gazeta Express

29/05/2021 14:31

Atlanta merr avantazhin ndaj Knicks, Celtics e Clippers bëjnë detyrën

Sport

Gazeta Express

29/05/2021 14:31

Pas 6 humbjeve radhazi më në fund ekipi i Boston Celtics ia doli mbanë për të mposhtur skuadrën e Brooklyn Nets, që konsiderohet nga të gjithë si favorite për të triumfuar në edicionin e sivjetshëm të NBA. Përveç katër takimeve të sezonit të rregullt franchise nga Massachusetts kishte humbur gjithashtu edhe dy ndeshjet e para të këtyre ekipeve në fazën play off, prandaj me të drejtë sfida e tretë e këtij dueli në Konferencën e Lindjes konsiderohej si përcaktuese për fatin e kësaj përballjeje. Pas dy humbjeve të para në New York skuadrat u zhvendosën në Boston për dy ndeshjet e radhës dhe Celtics e shfrytëzuan më së miri favorin e faktorit fushë, duke hapur serinë dhe mbajtur të gjalla shpresat për një mrekulli të mundshme ndaj skuadrës së drejtuar nga kanadezi Steve Nash, që ka në përbërje emra të tillë si Kevin Durant, James Harden, Kyrie Irving, Blake Griffin apo dhe DeAndre Jordan.

Në “TD Garden”, përpara 4.789 spektatorëve pas koshit të parë të Celtics miqtë shënuan 19 nga 21 pikët e tjera të takimit, duke fluturuar në epërsinë e 15 pikëve. Ndryshe nga herët e tjera, këtë radhë basketbollistët e ekipit të drejtuar nga trajneri Brad Stevens nuk u demoralizuan por ia dolën mbanë për të kthyer disavantazhin që në fundin e periodës hapëse. Dy skuadrat hynë në 12’ e dytë me Celtics në avantazh 33-32, ndërsa në pushimin e madh dy ekipet shkuan me Bostonin në epërsi 61-57. Vendasit ishin në kontroll për pjesën më të madhe të ndeshjes dhe shifrat 73-72 përfaqësojnë edhe avantazhin e vetëm të Brooklyn-it në dy periodat e tjera të takimit. Jayson Tatum këtë herë ishte I papërmbajtshëm dhe basketbollisti nga Missouri e mbylli mbrëmjen me 50 pikë, 6 topa të rikuperuar dhe 7 asist. Një rekord në karrierë në fazën play off për lojtarin tepër të talentuar, që parapëlqen për të mbajtur numrin 0 në fanellë.

Lexo Edhe:

Në moshën 23-vjeçare Jayson Tatum u bë lojtari i tretë më i ri në moshë në historinë e NBA, që realizon 50 apo më shumë pikë, gjatë një ndeshjeje të fazës play off. Basketbollisti nga St. Louis realizoi 5 goditje të sakta nga jashtë perimetrit si dhe 13 nga 15 tentativat nga vija e gjuajtjeve të lira dhe Bostoni triumfoi me shifrat 125-119, duke ngushtuar rezultatin e serisë në 2-1. Në këtë mënyrë Jayson Tatum u bë lojtari i parë i Celtics që realizon 50 pikë në “post season” që nga gjysmëfinalja e Konferencës së Lindjes në vitin 2017, kur një kuotë e tillë u arrit nga Isaiah Thomas. Në krahun tjetër spikati James Harden me double – double, 41 pikë, 21 prej të cilave nga përtej harkut me 7 gjuajtje të sakta për tre, si dhe 10 asist, ndërsa Kevin Durant e përfundoi takimin me 39 pikë e 9 rebound. Ish-lojtari i Bostonit Kyrie Irving u vërshëllye gjatë nga tifozët e pranishëm dhe 29-vjecari u shfaq nervoz, në sfidën e tij të parë në parketin e TD Garden-it si kundërshtar i Celtics, që nga viti 2019, kur edhe u largua nga franchise nga Massachusetts. Në këtë Konferencë gjithsesi duke patur parasysh edhe diferencat e mëdha ekipi I dytë më I mirë pas Philadelphia 76ers i ka të gjitha mundësitë për ta mbyllur shpejt serinë ndaj skuadrës së Bostonit, që u pozicionua në vendin e shtatë në “regular season”, ndërkohë po në Lindje përfitoi gjithashtu nga faktori fushë edhe ekipi i Atlanta Haëks, që tashmë kontrollon serinë në këtë konferencë ndaj Neë York Knicks.

Franchise njujorkez që e mbylli fazën e parë, pas 72 ndeshjeve në vendin e katërt I pati fituar që të tre takimet ndaj Atlantës, që u rendit në pozicionin e pestë, sidoqoftë në play off skuadra nga Georgia tashmë udhëheq falë edhe fitores 107-105 të ditës së hënë, brenda në Madison Square Garden, triumf që përmbysi situatën duke i hequr favorin e fushës ekipit të drejtuar nga trajneri Tom Thibodeau. Ashtu si në sfidën e tyre të parë edhe në këtë ndeshje ra në sy Trae Young. 22-vjecari teksan e përfundoi takimin sërish me double – double, duke e mbyllur mbrëmjen me 21 pikë e plot 14 asist. Në ndeshjen e parë të kësaj përballje në Georgia, pra në State Farm Arena, përpara 15.743 spektatorëve dy skuadrat luajtën pikë për pikë deri në mesin e periodës së dytë dhe maksimumi i avantazhit që siguruan miqtë ishte epërsia e 4 pikëve. Pas disavantazhit 39-38 vendasit kthyen gjithçka duke dominuar deri në fund takimin.

Miqve nuk iu mjaftuan 30 pikët e shënuara nga Derrick Rose dhe Hawks fituan gjithë ndeshjen me rezultatin 105-94, duke marrë kështu edhe kryesimin e serisë me shifrat 2-1. Pas tre disfatave rresht u kthyen te fitorja ndaj Dallasit edhe basketbollistët e Los Angeles Clippers. Në Perëndim franchise-t nga Kalifornia dhe Teksasi e mbyllën sezonin e rregullt respektivisht në vendin e katërt dhe të pestë, sidoqoftë deri tani nuk është respektuar aspak faktori fushë dhe tre sfidat e para të serisë janë fituar nga skuadrat udhëtuese. Në këtë mënyrë Mavs triumfuan në dy sfidat e para në Staples Center, ndërsa këtë herë radhën për t’u kundërpërgjigjur e patën Clippers, që ia dolën mbanë për të përmbysur diferencën e plot 19 pikëve brenda në Teksas. Në American Airlines Center, përpara 17.705 spektatorëve vendasit u shkëputën deri në +19, 30-11, megjithatë dy skuadrat shkuan në interval me avantazhin minimal të miqve 63-61.

Perioda e tretë përfaqëson 12’ më të ashpër të këtij takimi dhe ekipi w drejtuar nga trajneri Rick Carlisle arriti të barazojë shifrat në 75-75, gjithsesi pas atij momenti lojtarët e Clippers u shkëputën dhe nuk e kthyen më kokën prapa. Skuadra e Tyronn Lue fitoi me meritë krejt takimin me rezultatin 118-108, në një ndeshje ku spikati si zakonisht për Clippers Kawhi Leonard, që e përfundoi takimin me 36 pikë e 8 topa të rikuperuar, duke realizuar 13 nga 17 gjuajtjet e tij nga loja. Ylli i skuadrës teksane Luka Doncic ishte përsëri shumë pranë një triple – double. Në sfidën e parë basketbollisti slloven e përfundoi ndeshjen me 31 pikë, 10 rebound e 11 asist, ndërsa këtë radhë 22-vjeçari nga Ljubljana e mbylli mbrëmjen me 44 pikë, 9 topa të rikuperuar dhe 9 asiste në diçka më pak se 39’, që qëndroi gjithsej në parket, sidoqoftë Mavericks vazhdojnë të kryesojnë serinë me rezultatin 2-1, duke ruajtur në këtë mënyrë edhe avantazhin e faktorit fushë. /SS/