Arsenali po përballet me mungesë opsionesh në krahun e djathtë të mbrojtjes para finales së Champions League ndaj Paris Saint-Germain, ndërsa legjenda e klubit, Ray Parlour, pranon se kjo është një “shqetësim” i madh për shkak të kërcënimit që paraqet Khvicha Kvaratskhelia.
“Topçinjtë” do të përballen me PSG-në, kampionen në fuqi të Europës, më 30 maj. Pyetja kryesore për Mikel Artetan është e qartë: si do t’i zgjidhë problemet në mbrojtje dhe si do ta ndalë një nga anësorët më të rrezikshëm në futbollin europian?
Arsenali po hyn në një periudhë vendimtare për historinë e klubit. Dy trofe të mëdhenj janë ende në lojë: Premier League dhe Champions League.
Në kampionat, skuadra londineze kërkon titullin e parë që nga sezoni legjendar 2003/04, kur “Invincibles” e mbyllën sezonin pa humbje. Kanë mbetur edhe dy ndeshje, ndërsa Manchester City i Pep Guardiolës vazhdon ta ndjekë nga afër.

Pas përfundimit të garës në Premier League, vëmendja do të zhvendoset te finalja e Champions League. Arsenali nuk e ka fituar kurrë këtë trofe, por në Budapest ka mundësinë të shkruajë historinë. Megjithatë, përballë PSG-së nuk do të jetë aspak e lehtë.
Skuadra e Artetës ka lojtarë vendimtarë si Bukayo Saka dhe Viktor Gyokeres, por duhet të përballet me një sulm të frikshëm të PSG-së, ku spikasin fituesi i “Topit të Artë”, Ousmane Dembele, talenti Desire Doue dhe magjistari gjeorgjian Kvaratskhelia.
Problemi më i madh për Arsenalin është krahu i djathtë i mbrojtjes. Jurrien Timber dhe Ben White kanë pasur dëmtime në momentin më të keq të mundshëm, duke e lënë skuadrën me pak alternativa në atë pozicion.
I pyetur nga GOAL se si mund ta menaxhojë Arsenali kërcënimin e Kvaratskhelias, Parlour tha se shqetësimi është i kuptueshëm.
“Për mua, ai është një nga lojtarët më të mirë që kam parë prej shumë kohësh. Është fantastik me topin, futet brenda, ndryshon drejtim shpejt. Kjo është pak shqetësuese”, tha Parlour.

Ai shtoi se nuk është e qartë nëse Timber mund të rikthehet menjëherë në një ndeshje kaq të madhe.
“Nuk e di sa gjatë ka munguar Timber. Ka qenë jashtë për një kohë të gjatë. Nuk e di nëse mund ta hedhësh menjëherë në fushë, sepse kur ke humbur shumë ndeshje për shkak dëmtimi, nuk mund të futesh papritur dhe të bësh një paraqitje të madhe. Do të jetë interesante të shihet çfarë do të bëjë Arteta. Ky do të jetë shqetësimi i tij, pa dyshim.”
Sipas Parlour, kushdo që luan në atë pozicion duhet të jetë i përqendruar kryesisht te mbrojtja.
“Kushdo që luan aty duhet të japë gjithçka. Si mbrojtës i djathtë, nuk do të dalësh shumë përpara; do të mendosh më shumë për mbrojtjen kundër tij, sepse e di çfarë mund të bëjë. Nuk besoj se mbrojtësit e krahut do të ngjiten përpara si zakonisht.”
Ai mendon se Arteta do të zgjedhë një mbrojtje më të strukturuar, për të mos i dhënë PSG-së hapësira në kundërsulm.
“Mendoj se do të jetë një linjë me katër mbrojtës më e kujdesshme. Ideja do të jetë: ‘Le t’i lëmë lojtarët para nesh të bëjnë dëmin në sulm, ndërsa ne sigurohemi të mos kapemi jashtë pozicioni’. PSG është shumë e rrezikshme në tranzicion dhe në fazën sulmuese. Besoj se kështu do ta qasë Arteta ndeshjen.”
Vetë Arteta, si zakonisht, nuk ka zbuluar shumë për planet e tij taktike. Trajneri i Arsenalit ka mbajtur qëndrim të kujdesshëm, por optimist.
I pyetur për krahun e djathtë të mbrojtjes para finales ndaj PSG-së, ai tha:
“Duhet të shohim alternativa. Dy lojtarët që kemi në atë pozicion nuk janë të disponueshëm për momentin. Duhet të shohim dhe të bëjmë diçka tjetër.”
“E mira është se këtë sezon kemi kaluar situata të tilla në të gjithë fushën. Kur kemi pasur probleme, zakonisht kanë qenë në të njëjtat pozicione. Megjithatë, kemi arritur të gjejmë nivelin e duhur të paraqitjes dhe vazhdimësisë. Jam i sigurt se do ta bëjmë përsëri.”
Para se të mendojë për Kvaratskhelian dhe PSG-në, Arsenali duhet të kalojë dy pengesat e fundit në Premier League: Burnley dhe Crystal Palace. Fillimisht, “Topçinjtë” presin Burnleyn në “Emirates” të hënën, më pas udhëtojnë në “Selhurst Park” për sfidën ndaj Crystal Palace të dielën.
Gjashtë pikë në këto dy ndeshje do t’i siguronin Arsenalit titullin e parë kampion pas 22 vitesh dhe do t’i jepnin skuadrës besim maksimal para finales së madhe ndaj PSG-së në “Puskas Arena”, ku historia mund të shkruhet. /GazetaExpress/