I ftuar në emisionin “Tempus” në T7, kryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Ngadhnjim Arrni, tha se rastet thuajse identike me dënime diametralisht të kundërta përbëjnë shqetësim për politikën ndëshkimore.
“Unë kam një shqetësim më të madh se kaq dhe është mosbarazia e palëve para ligjit, në këtë rast që të pandehurit nuk dënohen njësoj për çështje afërsisht të njëjta. Ky është preokupimi im, që ne do të duhej të kishim një uniformitet të dënimeve, që një qytetar, në këtë rast i pandehur, për rrethana dhe çështje thuajse të njëjta, të mos ketë dënime diametralisht të kundërta”, tha Arrni.
Më tej, Arrni shtoi se:
“Gjykata Supreme është munduar mjaftueshëm të japë impaktin e vet. Ju e dini që ka disa udhëzues të politikës ndëshkimore: ka qenë udhëzuesi i parë, pastaj udhëzuesi revizion, udhëzuesi për çështjen e gjobave të veçanta për pjesën e lëndëve të korrupsionit, por nga të gjeturat shohim se, përkundër përpjekjeve, ende nuk kemi arritur në situatën e dëshirueshme”, shtoi Arrni.