Arne Slot ka zbuluar se Florian Wirtz po luan me një dëmtim të lehtë në kofshën e pasme (hamstring) përpara ndeshjes së Liverpoolit në Premierligë kundër Fulhamit.
Wirtz shënoi më në fund golin e tij të parë me fanellën e Liverpoolit në fitoren 2-1 në shtëpi ndaj Wolves të shtunën e kaluar, por reprezentuesi gjerman qëndroi në fushë vetëm 66 minuta në barazimin pa gola kundër Leeds United të enjten në mbrëmje.
Liverpooli udhëton drejt “Craven Cottage” për t’u përballur me Fulhamin të dielën dhe, duke folur pas barazimit me Leeds, Slot zbuloi se Wirtz nuk ka qenë në gjendje të stërvitet plotësisht për shkak të problemit në hamstring.
“Është shumë kërkuese për lojtarët që janë të gatshëm,” tha Slot për “LFCTV”.
“Siç e patë më herët, katër lojtarë që mezi kishin minuta loje në Premierligë ishin në stol. Florian u stërvit vetëm një herë këtë javë, sepse dy ditë pas ndeshjes ai ende ndiente pak kofshën e pasme”, tha ai fillimisht.
“Përpiqesh të jesh sa më i kujdesshëm pa prishur sa më shumë shanset për ta fituar ndeshjen, duke pasur parasysh kalendarin e ngjeshur që po vjen, sepse mungesa edhe në një tjetër ndeshje do të ishte një problem edhe më i madh nëse kjo do të zgjaste pesë, gjashtë apo shtatë javë ose më shumë”, shtoi Slot.
“Gjëja e mirë ishte se Cody Gakpo u rikthye pas një dëmtimi, kështu që ende mund të bëja disa zëvendësime. Këta lojtarë do të duhet të mbajnë barrën në javët ose muajt e ardhshëm, sepse përveç Joe Gomez, nuk shoh ndonjë lojtar tjetër që do të rikthehet së shpejti”, e mbylli ai./GazetaExpress/