Angazhimi qytetar në shënjestër të angazhimit politik - Gazeta Express
string(53) "angazhimi-qytetar-ne-shenjester-te-angazhimit-politik"

Angazhimi qytetar në shënjestër të angazhimit politik

OP/ED

Gazeta Express

19/07/2023 14:35

Angazhimi qytetar është i shtrirë në kohë dhe shkon përtej interesit vetjak e grupor; është gjithëpërfshirës dhe i hapur; nuk privilegjon, por vlerëson; nuk mohon, por njeh

Arben Idrizi

Lexo Edhe:

Angazhimi qytetar është në opozitë me angazhimin politik, mirëpo angazhimi politik është armik me angazhimin qytetar.

Nuk dua të them se ka ndonjë përparësi morale a kushedi se çfarë angazhimi qytetar, porse s’do (të doja) ta ndërroja kurrë me atë politik.

***

Prej kohësh, e shpesh për arsye dhe në rrethana të ndryshme, angazhimi politik e ka mbajtur nën hije angazhimin qytetar. LDK ka mbajtur një qëndrim më të përmbajtur ndaj tij, ndoshta edhe thjesht nga përbuzja gjoja intelektuale dhe pretendimi snobist se është thjesht një veprim anësor, i parëndësishëm, tek i cili edhe nuk shihte ndonjë rrezik.  

Partitë e dala nga lufta, nga ana tjetër, e kanë luftuar me të gjitha mjetet në dispozicion, pa përjashtuar as dhunën fizike, kërcënimet, përbaltjet dhe akuzat perfide. Në të njëjtën kohë, ose pasi ajo luftë u dukej e pamjaftueshme dhe e padobishme, duke gjetur një zgjidhje tepër dinake: rekrutimin e atyre eksponentëve në radhët e veta. Tani ne nuk mund t’i nxjerrim ata të rekretuar si thjesht viktima të tyre, por mund të themi në mirëkuptim se bukur shumë persona që do të mund të kishin (vazhduar të jepnin) dhënë një kontribut të rëndësishëm në angazhimin e tyre qytetar, janë djegur si fije kashte me të hedhur këmbën në tempullin (pastaj të neveritshëm) politik.

Profesorë universitarë, gazetarë, intelektualë të ndryshëm e kanë pësuar atë zezonë, pa të keqen ose tamam me, e tyre.

Sot, armiku kryesor – dhe më i madhi i mundshëm gjatë gjithë këtyre dekadave –  i angazhimit qytetar është Lëvizja Vetëvendosje.

***

Angazhimi qytetar, për mua, është i shtrirë në kohë dhe shkon përtej interesit vetjak e grupor; është gjithëpërfshirës dhe i hapur; nuk privilegjon, por vlerëson; nuk mohon, por njeh.

Për këtë dhe arsye të tjera, angazhimi qyetar shpesh edhe rrezikon të mbulohet nga harresa. Natyrisht, më pak nga ajo e përbotshmja (nëse kjo fjalë ka ndonjë kuptim), e më shumë nga e përkohshmja. Harresa e përkohshme është në të vërtetë arma kryesore e pushteteve (angazhimeve politike) – aparati propagandistik i të cilave është i palodhshëm dhe i pandalshëm – ndaj angazhimit qytetar. Përdorimi i saj u sjell fryte, për aq sa u nevojitet. Pasi të jetë arritur qëllimi, s’ka më asnjë rëndësi cila ishte, është dhe do të jetë e vërteta.

***

Vetëvendosje sot nuk i sheh më rivalët politikë si kundërshtarë të saj të vërtetë aq sa e sheh angazhimin qytatar, në të cilin (por jo gjithmonë dhe jo domosdoshmërisht) bëjnë pjesë edhe mediet. Linçimi, përbaltja, etiketimi, mohimi i angazhimit të tyre të vazhdueshëm qytetar, kërcënimi, përbuzja, injorimi, mosbashkëpunimi (edhe kur është i obliguar me ligj) – dhe në këtë radhë favorizimi i mediave që anojnë kah ajo dhe mbi të gjitha pushtimi i transmetuesit publik – janë vetëm disa prej mënyrave të luftës së saj.

E gjithë kjo – dhe pra caku është i llogaritur mirë dhe saktë – vetëm e vetëm që të arrihet deri te gjendja ideale e dëgjueshmërisë qytetare.

Sigurisht, meqë ne jemi duke bërë çmos që ta luftojmë harresën, Vetëvendosje ka ardhur deri te pushteti edhe – pra edhe – duke e luftuar dëghueshmërinë qytetare dhe duke u thirrur fuqishëm te angazhimi qytetar.

***

Meqë historia e dhënë si e tillë zakonisht tingëllon ironike, duhet të themi se megjithatë historia është mësuese: angazhimet politike shkojnë e vijnë, nga anë e me motive të ndryshme, angazhimet qytetare të paktën janë – edhe nëse jo më të dobishme e më të virtytshme – pak më jetëgjata.

Përkatësisht, edhe angazhimi qytetar mund të përdoret si mjet politik, për ta shndërruar pastaj, me të ardhur në pushtet, në rrezik potencial, andaj në armik. Çdo gjë që ke përdorur ti dje kundër të tjerëve, mund të përdoret nesër kundër teje.