Carlo Ancelotti ka përfshirë Neymarin në planet e Brazilit për Kupën e Botës 2026, por sulmuesi veteran është detyruar të pranojë një rol dukshëm më të ulët brenda kampit të “Seleçaos”.
Trajneri italian zhvilloi një video-thirrje vendimtare me yllin e Santosit për t’i sqaruar rregullat para se të finalizonte listën prej 26 lojtarësh.
Sipas “Globo”, Ancelotti – së bashku me drejtorin teknik Rodrigo Caetano – foli drejtpërdrejt me 34-vjeçarin për t’i shpjeguar realitetin e ri të kombëtares. Në këtë takim virtual, italiani e bëri të qartë se epoka e Neymarit si protagonist i padiskutueshëm ka përfunduar.
Ish-trajneri i Real Madridit e informoi Neymarin se ai nuk do të jetë më kapiten dhe as titullar i garantuar.
Ancelotti shpjegoi se tashmë ka në mendje një formacion bazë dhe aktualisht sulmuesi nuk bën pjesë në të.
Gjithashtu, atij iu prezantua një kod i ri disiplinor, që përfshin edhe kufizime në përdorimin e rrjeteve sociale për të ruajtur fokusin gjatë turneut.
Pavarësisht “dashurisë së fortë” në bisedat private, Ancelotti ka mbështetur publikisht përvojën e Neymarit si një aset i rëndësishëm për lojtarët e rinj të skuadrës.
Trajneri beson se prania e tij mund të ndikojë pozitivisht në dhomat e zhveshjes, edhe nëse kontributi në fushë do të jetë i kufizuar në momente të caktuara ose si zëvendësues.
“Ne e zgjodhëm Neymarin jo sepse mendojmë se do të jetë një zëvendësues i mirë. E zgjodhëm sepse besojmë se mund ta ndihmojë ekipin, qoftë për një minutë, pesë minuta, 90 minuta apo edhe për ekzekutimin e penalltive,” tha Ancelotti.
“Në këtë Botëror ai do të jetë një lojtar i rëndësishëm. Ka përvojë në këtë kompeticion dhe mund të krijojë një ambient më të mirë në grup”, shtoi ai.
Reagimi i Neymarit raportohet se ka qenë pozitiv, duke e pranuar rolin e ri dhe duke premtuar se do të bëjë gjithçka për ekipin.
Pas publikimit të listës, ai thuhet se i ka dërguar stafit një mesazh falënderimi dhe feste, i shoqëruar me zemra në ngjyrat e Brazilit./GazetaExpress/