Analisti, Shenoll Muharremi, ka bërë një kalkulim të votave potenciale që partitë politike mund t’i marrin në zgjedhjet e 7 qershorit bazuar në lëvizjet e fundit që po ndodhin dhe duke u bazuar në rezultatin e zgjedhjeve të shkurtit dhe dhjetorit 2025.
Ai ka marrë një mesatare të votave të dy palë zgjedhjeve të kaluara, duke e nxjerrë LDK’në në një mesatare prej 150 mijë votave, apo diku tek 16 %.
Sipas Muharremit, nëse kalimi i Vjosa Osmanit ia shton rreth 60 mijë vota LDK-së, atëherë i bie që partia e Abdixhikut të shkojë në 210 mijë vota apo 23 %, derisa LVV të bie në 39.7
“Nëse supozojmë që do të kemi rreth 830,000 votues më 7 qershor, atëherë LDK do të ketë deri/rreth 25% të votave. Por nëse kemi pjesëmarrje psh 900,000, LDK do i këtë 23% me 210,000 vota. Kjo do të ishte një fitore kredibile nga rreth 13% sa kishte të rritej në mbi 20% e gjithashtu edhe mund ta tkurrë LVV-në deri në 39.7%.”, ka shkruar ai.
Postimi i plotë:
Sa vota mund t’i marrin LDK + Lista Vjosa më 7 qershor?
E bëra një ushtrim me të dhëna reale të zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe 28 dhjetorit 2025 për me kuptu sa mundet me shku, hipotetikisht, LDK në zgjedhjet e ardhshme.
Kjo parti pati fat të keq më 28 dhjetor me vetëm 126,102 vota dhe 13.23%. Mes tjerash, spekulohet që një numër i theksuar i votuesve të tyre kanë qenë jashtë Kosovës për festat e fundvitit me këtë rast. Në fillim të vitit 2025, më 9 shkurt, kjo parti mori 171,357 vota dhe 18.27%.
Për me kuptu sa vota mund t’i marrë eventualisht më 7 qershor, mundemi me thënë që ndoshta një mesatare mes 9 shkurtit dhe 28 dhjetorit është një bazë e mirë për me kuptu sa e ka vlerën aktuale. Kjo nënkupton që LDK aktualisht ka rreth 150,000 vota dhe rreth 15%-16%.
Po Vjosa Osmani me listën, sa vota mund t’i sjellë?
Kjo nuk është aspak e lehtë të dihet, për shkak të natyrës tepër komplekse të zgjedhjeve dhe “transferit” nga një kamp në tjetrin. Sidoqoftë, edhe pse Osmani ka qenë politikanja më e pëlqyer si individ sa ka qenë presidente, kjo nuk do të thotë që të gjitha ato vota transferohen te LDK.
Në fakt, votat që Vjosa Osmani i ka fituar me LVV në 2021 nuk janë aspak indikator kredibil për t’u marrë si bazë kësaj radhe. Gjithashtu, nuk mundemi me supozu tash që, nëse Vjosa Osmani ishte politikanja më e pëlqyer, ajo do të marrë më shumë vota sesa psh Albin Kurti. Kjo nuk funksionon kështu.
Megjithatë, për të nxjerrë një supozim se sa vota do t’i sjellë Osmani nga LVV te LDK në këtë rast, ndoshta numri më i përafërt do të ishte rreth 50,000-60,000 vota. E për me i shtu ato vota LDK-së, ato vota duhet të merren (kthehen) diku, mesiguri nga LVV.
Gjithashtu duhet kuptuar që ndoshta deri 100,000 persona më pak mund të i kemi nga diaspora kësaj radhe. Nëse supozojmë që deri 160,000 votues kanë ardhur fizikisht për të votuar më 28 dhjetor, kësaj radhe kishim me supozu që do të jenë maksimumi 40% e tyre.
Kështu që pjesëmarrja mund të jetë më e ulët kësaj radhe. Jo vetëm nga diaspora, por gjithashtu nga lodhja e votuesve për shkak se po votojnë për herën e pestë në një periudhë të shkurtër.
Në këtë kontekst, nëse Vjosa Osmani i sjell rreth 60,000 vota shtesë, dhe i kemi parasysh rreth 150,000 votat aktuale organike të LDK-së, atëherë LDK mund të shkojë në nivelin e 210,000 votave. Ndoshta, në rastin më të mirë, 230,000, ndërsa në më të keqin 180,000.
Nëse supozojmë që do të kemi rreth 830,000 votues më 7 qershor, atëherë LDK do të ketë deri/rreth 25% të votave. Por nëse kemi pjesëmarrje psh 900,000, LDK do i këtë 23% me 210,000 vota. Kjo do të ishte një fitore kredibile nga rreth 13% sa kishte të rrithej në mbi 20% e gjithashtu edhe mund ta tkurrë LVV-në deri në 39.7%.