Për dallim nga dy dekada më parë, sot, Kosova është mbrapa Shqipërisë në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Kështu ka vlerësuar ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, gjë e cila, siç tha ai, ‘’e trishton’’.
Ambasadori suedez, përmendi fjalimin e të parit të Komisionit Evropian, Antonio Costa për qytetarë shqiptarë, duke thënë se këta të fundit, ‘’po përparojnë kaq mirë’’ në negociatat me BE’në.
“E pashë sot që presidenti i Komisionit Evropian, Antonio Costa, kishte një fjalim shumë të mirë për qytetarët shqiptarë, duke i mirëpritur ata në të ardhmen në Bashkimin Evropian. Ata po përparojnë kaq mirë në negociatat me Bashkimin Evropian. Më trishton ajo që Kosova para dy dekadash ishte para Shqipërisë, për disa arsye tani Shqipëria është përpara Kosovës dhe Shqipëria mundet shumë mirë e shumë shpejt të bëhet anëtare e BE-së”, tha ai.
Westerlund tha se shpreson që Kosova do ta ndjekë Shqipërinë sa më shpejt. Ai, për KlanKosova, shtoi edhe se, ngërçi politik po krijon telashe, duke kujtuar se duhet miratuar disa ligje.
“Shpresoj që Kosova do ta ndjek Shqipërinë sa më shpejt që është e mundur dhe kjo do të thotë që juve ju duhet unitet në vend po ashtu”, u shpreh ambasadori suedeze në këtë intervistë. Por tani janë bërë 16 muaj dhe ju duhet të miratoni ligje të caktuara në Kuvend që të ecni përpara: pra, nëse doni të keni qasje në Planin e Rritjes – duhet të miratohen një numër i caktuar të ligjeve në Parlament. Kështu që kjo situatë në afatgjatë fatkeqësisht do ta pengojë integrimin e Kosovës me Bashkimin Evropian”, deklaroi ambasadori suedez.
Westerlund, theksoi edhe se, rruga drejt BE’së është vështirë, gjë për të cilën mund ta “pyeteni Shqipërinë e Malin e Zi që u është dashur vite dhe ato po përparojnë”.
Ambasadori suedez, kujtoi edhe aplikimin e Kosovës për vendin kandidat, duke theksuar se, fokusi në Evropë, për momentin është ‘’goxha shumë’’ në Ukrainë.
“Ju dhe shikuesit tuaj e dinë që Kosova aplikoi për të marrë statusin e vendit kandidat me 15 dhjetor të vitit 2022, tani kjo është një kohë e gjatë. Në Evropë fokusi goxha shumë është në Ukrainë dhe që ky vend të bëhet anëtare e BE-së. Siç e thashë më parë, ne duam t’i kemi vendet e Ballkanit Perëndimor pjesë e Unionit po ashtu. Tani, ju e dini që ka një numër anëtaresh të BE-së të cilat nuk e kanë njohur Kosovën. Por, për të qenë të saktë, janë pesë vende mosnjohëse dhe duhet që të ketë diskutime brenda BE-së që të çohet përpara aplikimi i Kosovës”, shtoi Westerlund.