Kombëtarja e Anglisë është përballur me një incident të pakëndshëm para nisjes së fushatës së saj në Kupën e Botës 2026, pasi një pjesë e pajisjeve stërvitore të ekipit janë vjedhur në Kansas City.
Sipas raportimeve, automjetet që po transportonin pajisjet drejt qendrës stërvitore “Swope Soccer Village” janë thyer, ndërsa Federata Angleze e Futbollit (FA) po punon për ta përcaktuar saktësisht se çfarë është marrë.
Mes sendeve që dyshohet se janë vjedhur përfshihen topa dhe këpucë futbolli, shkruan “BBC”, përcjell “Gazeta Express”.
Trajneri Thomas Tuchel dhe futbollistët e tij pritet të mbërrijnë në Kansas City të shtunën pasdite, ndërsa pajisjet duhej të ishin vendosur më herët në bazën stërvitore të ekipit.
Forcat e policisë, të cilat po bashkëpunojnë me FA-në, kanë qenë në vendngjarje të premten në mbrëmje për ta hetuar rastin.
Sipas informacioneve paraprake, dy persona janë arrestuar në lidhje me këtë ngjarje.
“Po e hetojmë një vjedhje të mundshme të pajisjeve nga një automjet i ekipit që mbërriti në Kansas City, ku u konstatuan mungesa të disa artikujve. Hetimet janë ende në vazhdim”, deklaroi një zëdhënës i Policisë së Kansas City.
Incidenti mund të ndikojë në përgatitjet e trajnerit Thomas Tuchel për ndeshjen e parë të Anglisë në Kupën e Botës, kundër Kroacisë, e cila zhvillohet të mërkurën.
Futbollistët anglezë pritet ta zhvillojnë seancën e parë të plotë stërvitore të dielën. /Gazeta Express