Kombëtarja e Brazilit do ta nisë rrugëtimin e saj në Botërorin 2026 me përballjen ndaj Marokut, por pa yllin kryesor të skuadrës, Neymar.
Trajneri Carlo Ancelotti ka konfirmuar zyrtarisht se sulmuesi nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjen e parë të “Seleçaos”.
Trajneri italian shpjegoi se Neymar nuk ka arritur të rikuperohet plotësisht dhe se stafi teknik nuk dëshiron të marrë rreziqe me gjendjen e tij fizike.
Për këtë arsye, braziliani do të mungojë në debutimin e ekipit në turne.
“Ne nuk duam të rrezikojmë. Neymar nuk është ende në gjendjen optimale për të luajtur dhe kemi vendosur që të mos jetë pjesë e ndeshjes së parë”, deklaroi Ancelotti, përcjell “Gazeta Express”.
Mungesa e 34-vjeçarit e përbën një goditje për Brazilin, megjithatë pesë herë kampionët e botës e disponojnë një skuadër të mbushur me yje dhe synojnë ta nisin me fitore aventurën në Kupën e Botës.
Përballja ndaj Marokut pritet me interes të madh pasi afrikanët konsiderohen një nga ekipet më të forta jashtë Evropës dhe Amerikës së Jugut, ndërsa Brazili mbetet ndër favoritët kryesorë për triumfin final. /Gazeta Express