Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i ka dërguar Kuvendit të Kosovës një njoftim zyrtar me rekomandime për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.
Në letrën e datës 24 prill 2026, drejtuar kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, thekson se pas analizës së zgjedhjeve të fundit, janë identifikuar sfida në organizimin dhe administrimin e procesit zgjedhor.
Një nga rekomandimet kryesore është ulja e numrit të votave preferenciale për kandidatët.
Aktualisht, qytetarët mund të votojnë deri në 10 kandidatë, ndërsa KQZ propozon që ky numër të reduktohet në 5 ose 3.
Sipas KQZ-së, një numër i lartë i votave preferenciale e komplikon procesin e numërimit, e ngadalëson atë dhe rrit mundësinë për gabime dhe manipulime. Po ashtu, kjo paraqet vështirësi edhe për vetë votuesit.
KQZ thekson se ndryshimet janë të nevojshme sidomos në rast të zgjedhjeve të reja të parakohshme, duke marrë parasysh edhe afatet kushtetuese.
Rekomandimet janë miratuar me vendim të KQZ-së dhe tashmë i janë përcjellë Kuvendit për shqyrtim të mëtejmë. /Frontonline


Përfaqësuesi i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Eugen Cakolli, ka reaguar ndaj rekomandimit të KQZ-së për uljen e numrit të votave preferenciale për kandidatët.
Ai tha se reduktimi i numrit të kandidatëve për të cilët mund të votojnë qytetarët – nga 10 në 5, 3 apo edhe 1 – duhet të trajtohet si pjesë e një reforme të mirëfilltë zgjedhore, por jo në prag të zhvillimeve politike.
Sipas Cakollit, asnjë ndryshim substancial nuk duhet të propozohet vetëm disa ditë para një skenari eventual për zgjedhje, e aq më pak që një iniciativë e tillë të vijë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, institucion i cili, sipas tij, nuk ka mandat të merret me afatet kushtetuese apo momentin politik.
“Është e vërtetë që reduktimi i votimit lidhet drejtpërdrejt me problemet e evidentuara në numërim dhe administrim, por ka edhe shumë çështje të tjera që kërkojnë trajtim në kuadër të reformës zgjedhore’’, theksoi ai.
Cakolli shtoi se fokusimi vetëm në një element në këtë fazë e zbeh seriozitetin e procesit, duke kërkuar që çdo reformë të bëhet përmes një procesi të mirëfilltë, me analiza dhe konsultime të gjera.
Ai rikujtoi edhe standardet e Komisioni i Venecias, sipas të cilave elementet themelore të legjislacionit zgjedhor nuk duhet të ndryshohen më pak se një vit para zgjedhjeve, në mënyrë që të ruhet stabiliteti dhe besimi në proces.
Ai theksoi se KQZ-ja mund të adresojë vetëm mangësitë teknike dhe procedurale, brenda kuadrit aktual ligjor, duke përfunduar se: “Rregullat e zgjedhjeve nuk mund dhe nuk duhet të ndryshohen kur zgjedhjet janë në prag”.