Sakrifica e Nënës Ferdonije Qerkezi nga Gjakova është e madhe, andaj asaj sot iu realizua një mural.
Një pjesë e Ulpianës në Prishtinë, tashmë mban peshën e saj dhe në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” është figura e saj.
Ky mural u përurua të hënën, ku u vlerësua që kujtesa kolektive ka rol të rëndësishëm në ndërtimin e një shoqërie të drejtë.
Kështu u shpreh Marigona Shabiu nga organizata “Youth Initiative for Humans Rights of Kosovo”.
Shabiu shtoi se gjatë dy dekadave të fundit, procesi i zbardhjes së fatit të të zhdukurve është karakterizuar me vonesa, mungesë transparence dhe vullnet të pamjaftueshëm politik. Sipas tij, kjo situatë nuk duhet të normalizohet dhe të pranohet si e pandryshueshme.
Ndërsa, Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur, tha se përmes këtij murali, ndërtojnë një kujtesë që duhet t’iu përcjellet brezave.
“Sot përmes këtij murali gjithsesi nderojmë mijëra failje dhe kujtojmë të gjithë ata që na mungojnë. Në të njëjtën kohë, përmes këtij murali ne ndërtojmë një kujtesë që duhet të iu përcjellët brezave dhe historia të mos përsëritet”, tha Gara.
E nëna Ferdonije falënderoi të gjithë ata që e kanë përkrahur ndër vite.
“Faleminderit për vizitat që m’i keni bërë edhe populli që po më përkrah. Faleminderit edhe për muralin që ma keni bërë dhe familjen që s’po ma harroni”, tha Qerkezi.
Derisa autorja e muralit, Ermira Murati potencoi se kjo vepër është bërë në akt nderimi për këtë dhimbje të shoqërisë.
“Kjo vepër është pikturuar në nder të 27 Prillit, Ditës së të Pagjeturve, si një kujtesë dhe një akt nderimi për një dhimbje aq të madhe për shoqërinë tonë. Përmes figurës së nënës Ferdonije, kjo vepër nuk i kushtohet vetëm kësaj gruaje aq të fortë por të gjithë familjeve që vazhdojnë të jetojnë më dhimbje dhe mungesë”, tha Murati. /KP