Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është duke mbajtur mbledhje në të cilën po diskutohet propozimi për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.
Në mbledhjen që po mbahet tani, PDK-ja në KQZ i ka kërkuar llogari kryesuesit Kreshnik Radoniqi për shkresën e dërguar në Kuvend pa trajtim në KQZ.
Ky i fundit e ka pranuar se është dashur që kjo çështje të diskutohej në mbledhjen e KQZ-së paraprakisht, për çka e ka pranuar gabimin dhe ka kërkuar falje.
“Nuk jam konsultuar me ju, për çka edhe kërkoj falje”.
Kërkim falja vjen, pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i ka dërguar Kuvendit të Kosovës një njoftim zyrtar me rekomandime për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. KQZ ka propozuar ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje dhe uljen e votave preferenciale për kandidatët nga 10 në 5 ose 3.
Aktualisht, qytetarët mund të votojnë deri në 10 kandidatë, ndërsa KQZ propozon që ky numër të reduktohet në 5 ose 3.
Në letrën e datës 24 prill 2026, drejtuar kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, thekson se pas analizës së zgjedhjeve të fundit, janë identifikuar sfida në organizimin dhe administrimin e procesit zgjedhor.
Një nga rekomandimet kryesore është ulja e numrit të votave preferenciale për kandidatët.
Sipas KQZ-së, një numër i lartë i votave preferenciale e komplikon procesin e numërimit, e ngadalëson atë dhe rrit mundësinë për gabime dhe manipulime. Po ashtu, kjo paraqet vështirësi edhe për vetë votuesit.
KQZ thekson se ndryshimet janë të nevojshme sidomos në rast të zgjedhjeve të reja të parakohshme, duke marrë parasysh edhe afatet kushtetuese.
Rekomandimet janë miratuar me vendim të KQZ-së dhe tashmë i janë përcjellë Kuvendit për shqyrtim të mëtejmë.