AGK thirrje Vjosa Osmanit që Blerim Vela t'i ndalë sulmet ndaj mediave - Gazeta Express
string(69) "agk-thirrje-vjosa-osmanit-qe-blerim-vela-ti-ndale-sulmet-ndaj-mediave"

AGK thirrje Vjosa Osmanit që Blerim Vela t’i ndalë sulmet ndaj mediave

Lajme

Gazeta Express

30/03/2023 14:07

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar ndaj gjuhës së përdorur nga shefi i stafit të Presidentes, Blerim Vela, ndaj mediave në Kosovë për shkak të raportimeve për mundësinë e rrëzimit të Osmanit si presidente.

AGK e ka konsideruar si të rrezikshme dhe të papranueshme gjuhën e Velës, të cilën organizata për mbrojtjen e gazetarëve thekson se Vela nuk e ka për herë të parë. Gjithashtu i kanë kërkuar presidentes Vjosa Osmani që kabineti i saj t’i ndalin sulmet ndaj mediave.

Lexo Edhe:

Vela në “twitter” ka drejtuar akuza të paprecedenta ndaj mediave duke thënë se “E kemi plotësisht të qartë se dezinformatat dhe propaganda që bëhet gjoja duke u thirrë “në burime brenda Gjykatës”, janë pjesë e luftës speciale të realizuar sipas skemës së përgatitur nga Beogradi dhe të realizuar përmes kriminelëve të veriut dhe sekserëve të tyre, të cilët ndodhen në listën e zezë të ShBA-ve.”

Reagimi i plotë:

AGK: E rrezikshme dhe e papranueshme gjuha e Shefit të Stafit të Presidentes Osmani, Blerim Vela 

Jo për herë të parë, Blerim Vela – Shef i Stafit të Presidentes së Kosovë, Vjosa Osmani, ka sulmuar mediet e Kosovës, pas raportimeve për një vendim të pritshëm të Gjykatës Kushtetuese për deputetë të minoriteteve në Kuvendin e Kosovës, që si zinxhir mund të vë në pikëpyetje zgjedhjen e Presidentes. 

Vela në një postim skandaloz në Twitter, thotë se raportimet e medieve të Kosovës “janë pjesë e luftës speciale të realizuar sipas skemës së përgatitur nga Beogradi dhe të realizuar përmes kriminelëve të veriut dhe sekserëve të tyre, të cilët ndodhën në listën e zezë të SHBA-së”. 

Kjo është një gjuhë e papranueshme dhe shumë e rrezikshme që rëndon ambientin e punës së gazetarëve në Kosovë. Për më tepër është vazhdimësi e sulmeve të zotit Vela ndaj medieve. 

Teksa merr pjesë në Samitin e Demokracisë, AGK-ja i bën thirrje të përsëritur presidentes Vjosa Osmani që përfundimisht të ndalojë sulmet ndaj medieve nga kabineti i saj, e që shërbejnë si presion direkt në punën e tyre.