Admir Shabani, zv/ministër i mbrojtës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, ka reaguar në lidhje me akuzat e djeshme për pllakën përkujtimore në Shkup, ku përmendet termi “terroristët shqiptarë”.
Reagimi i tij i plotë:
“Ata që sot bërtasin më së shumti për shqiptarët, janë të njëjtët që heshtën kur kishin pushtetin në dorë, bile as milimetër nuk lëvizën në dobi të shqiptarëve!
Të shkojmë konkretisht:
• Deri më 19 maj 2025, zëvendësministre e Mbrojtjes ishte Elfete Ismaili – kuadër i Arben Taravarit. Poashtu me këtë dikaster ka udhëhequr edhe Tiron Jajaga. A nuk ekzistonte kjo pllakë atëherë?
• Po kur Ministrinë e Mbrojtjes e drejtonin Talat Xhaferi dhe Fatmir Besimi, a ishte zhdukur kjo pllakë? Apo thjesht nuk ju pengonte?
Nëse kjo pllakë është ofenduese sot dhe po, është problematike, atëherë pse nuk e hoqët dje kur kishit pushtetin, vulën dhe përgjegjësinë?
Sepse e vërteta është e thjeshtë:
Nuk e keni pasur prioritet dinjitetin shqiptar, por pushtetin.
Sot përpiqeni të shisni patriotizëm me zë të lartë, për të mbuluar një fakt që nuk fshihet dot:
Kur ishte momenti për veprim, zgjodhët heshtjen.
Mos e përdorni ndjenjën kombëtare si strehë për hipokrizi politike.
Mos u shtirni si mbrojtës të shqiptarëve sot, kur dje nuk guxuat të bëni asnjë hap konkret.
Marrëveshja e Ohrit nuk është slogan për konferenca shtypi, është obligim politik dhe institucional.
Dhe ky obligim nuk zbatohet duke bërtitur nga opozita, por duke vepruar kur ke pushtet.
Së fundi, një gjë duhet të jetë e qartë për të gjithë:
Dinjiteti shqiptar nuk mbrohet me deklarata selektive, por me veprime konkrete dhe ju, kur kishit mundësi, nuk bëtë asgjë.
Prandaj, para se të akuzoni të tjerët, përgjigjuni:
Pse heshtët kur duhej të flisnit dhe të vepronit?”, përfundon Shabani.
tag_katrorimaqedoni_2