Abelard Tahiri: Qeveria dështoi ta mbrojë jetën e qytetarëve, Kurti e Vitia të sqarohen qysh sonte - Gazeta Express
string(96) "abelard-tahiri-qeveria-deshtoi-ta-mbroje-jeten-e-qytetareve-kurti-e-vitia-te-sqarohen-qysh-sonte"

Abelard Tahiri: Qeveria dështoi ta mbrojë jetën e qytetarëve, Kurti e Vitia të sqarohen qysh sonte

Lajme

Gazeta Express

17/04/2021 16:32

Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur një konferencë për media në lidhje me zhvillimet e fundit në vend që kanë të bëjnë me çështjen e vaksinave për COVID-19 si dhe raportimet e mediave të cilat më pas u përballen me presion nga ministrat e Kurtit dhe drejtësia.

Në këtë konferencë, ka folur Abelard Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të PDK-së.

Lexo Edhe:

Tahiri ka thënë se dështimi për vaksinat është i qëllimshëm dhe në lidhje me këtë, Kurti dhe Vitia duhet të japin sqarim qysh sonte.

Ai ka thënë se dështimi për sigurimin e vaksinës nga qeveria Kurti, është edhe dështim për mbrojtjen e jetës së qytetarëve.

“Dështimi është i qëllimshëm. Atë që kemi parë dje, ai arsyetim  është i paqëllimshëm. Kërkojmë nga Kurti e Vitia të dalin para qytetarëve dhe të tregojnë pse ka dështuar procesi i vaksinave. Numri i vdekjeve te ne po rritet çdo ditë. A nuk është kjo e mjaftueshme që prej se është emëruar kjo qeveri, janë 293 vdekje. Dështimi për sigurimin e vaksinës, është dështim për të mbrojtur jetën e qytetarëve.  Ne kërkojmë sqarim nga kryeministri që dje organizonte konferencë për donacionin që erdhi me vaksinat. Sot e ka detyrë të jap sqarim pse dështoi kontrata me Pfizer” ka thënë ai.

Tahiri ka folur edhe për sulmet ndaj mediave nga pushteti i Kurtit, duke thënë se mediat janë faktor kyç në angazhimin e tyre në nxjerrjen në pah të abuzimeve të qeverisë dhe ministrave.

Tutje,  Tahiri ka bërë thirrje që sa më shpejtë të jetë e mundur të thirret seancë për çështjen e dështimit të sigurimit të vaksinave.

“Tashmë është e qartë se kompanitë e vaksinave nuk bëjnë marrëveshje me sekserë por me shtete. Kërkojmë nga Prokuroria që të mos bie në ndikimin e Kurtit. Sulmi ndaj mediave të lira është e papranueshme. Nxjerrja në pah e abuzimeve të qeverisë dhe ministrave është shumë e rëndësishme dhe këtë e bëjnë vetëm mediat. Angazhimi i mediave në këtë drejtim është tejet i rëndësishëm. Bëjmë thirrje që sa më shpejtë të thirret seanca për këtë çështje në Parlament. Ky kryeministër e ka obligim që të shpjegojë qartë se cilat kanë qenë arsyet e dështimit të këtyre vaksinave. Ju bëj me dije që Ligji për Sinjalizuesit është në fuqi dhe ai i mbron të drejtat e tyre. Heronjë janë ata që nxjerrin abuzimet që mund të ndodhin nga ministrat”, ka thënë Tahiri.

“I bëj thirrje Kurtit që të dalë që sonte dhe të jap sqarim për dështimin e nënshkrimit të kësaj kontrate. Ajo që është thënë dje nga Vitia është e pamjaftueshme. Kërkojmë që sonte të dilni dhe të tregoni pse keni dështuar”, ka thënë në fund ai.