Kylian Mbappe pritet të mbetet te Real Madridi edhe sezonin e ardhshëm, pavarësisht tensioneve dhe kritikave të fundit që kanë shoqëruar situatën e tij në klub.
Fabrizio Romano, raporton se as Mbappé dhe as Real Madridi nuk po mendojnë ndarjen gjatë verës, edhe pse periudha aktuale përshkruhet si një “moment i vështirë”.
Sipas raportimeve, francezi është kritikuar pas udhëtimit të tij të fundit në Itali, teksa ishte në fazë rikuperimi nga dëmtimi, ndërsa në mediat spanjolle ka pasur zëra edhe për pakënaqësi brenda dhomës së zhveshjes lidhur me qëndrimin e tij dhe angazhimin në mbrojtje.
Megjithatë, Real Madridi mbetet i vendosur ta mbajë 27-vjeçarin si pjesë kyçe të projektit. Klubi pritet të nisë një rindërtim pas një sezoni zhgënjyes dhe Mbappé parashihet të jetë në qendër të këtij procesi.
Raporti thekson se disa çështje si shkarkimi i Xabi Alonsos, menaxhimi i dëmtimit në gju dhe dinamika në skuadër kanë krijuar fërkime, por marrëdhënia nuk konsiderohet e prishur.
Mbappé, sipas Romanos, do të qëndrojë dhe do ta nisë një kapitull të ri me Realin nën drejtimin e një trajneri të ri.