Caktohet seanca për votimin e Qeverisë, Gashi: I kemi votat, gjithçka është përmbyllur - Gazeta Express
string(82) "caktohet-seanca-per-votimin-e-qeverise-gashi-i-kemi-votat-gjithcka-eshte-permbylle"

Caktohet seanca për votimin e Qeverisë, Gashi: I kemi votat, gjithçka është përmbyllur

Gazeta Express

02/06/2020 11:21

Në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit është vendosur që seanca për votimin e qeverisë së re të mbahet nesër në orën 11:00, raporton Gazeta Express.

Kështu ka bërë të ditur para mediave, shefi i deputetëve të LDK-së, Arben Gashi.

Lexo Edhe:

Ai nuk ka komentuar nëse të gjithë deputetët e LDK-së do të votojnë pro kësaj qeverie, megjithatë, shton se i kanë votat që u duhen.

“Sipas kërkesës së deputetëve nënshkrues të udhëhequr nga grupi parlamentar, nesër mbahet seanca në orën 11:00. Mendoj që është e padinjitetshme që deputetët të konsiderohen si vota, nesër gjithsecili e kanë mundësinë që të japin vlerësimin e vet përmes diskutimit pastaj përmes votës. I kemi votat, të gjitha janë përmbyllë”, tha ai.

Gashi nuk ka folur, i pyetur për deklarimin e deputetit të Nismës, Haxhi Shala, që nuk do të votojë pro qeverisë Hoti.

“Pyetne z. Limaj nuk është çështje imja, është çështje e brendshme, nuk kam dilema. Nuk e kam atë problem dhe nuk merrem me atë çështje.

Ka seancë, jemi të sigurt që e kemi thirrë, secili deputet mbi bazën e bindjes se vet voton, a janë 60 a 70 vendoset nesër”, tha ai.

I pyetur se a kanë diskutuar për kryeparlamentaren Vjosa Osmani, si dhe nëse ajo do të udhëheqë seancën, Gashi ka thënë se për këtë temë vendos ajo vetë.

“Është çështje procedurale, zonja Osmani është kryetare e Kuvendit vendos vetë a don me udhëheq një seancë a jo, nëse ka kohë”, shtoi ai.

Shefi i deputetëve të LDK-së tha se të gjitha marrëveshjet e koalicionit do t’i publikojë kandidati për kryeministër, Avdullah Hoti.

“Marrëveshjet do t’i publikoj z. Hoti, është çështje e z. Hoti”, ka thënë ai.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka dorëzuar dje në Kuvend kërkesën për seancë të jashtëzakonshme, ku pritet të votohet qeveria në krye me Avdullah Hotin.

Kjo pasi që Gjykata Kushtetuese vendosi se dekreti i presidentit për mandatarin nuk e ka shkelur Kushtetutën.

Sot gjatë ditës, ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës do të publikojë emrat e ministrave. Kreu i kësaj partie, Isa Mustafa, ka thirrur mbledhje të kryesisë për në orën 16:30. /GazetaExpress/