Është zbardhur raporti i Avokatit të Popullit dërguar policisë së shtetit në lidhje me shkeljet proceduriale të bëra gjatë dëbimit nga Shqipëria të shtetasit turk Harun Çelik. Dokumenti i është dorëzuar kreut të policisë Ardi Veliu më 24 maj të këtij viti, ku vihen në dukje shkeljet e kryera.
Raporti vë në dukje se dëbimi i menjëhershëm i mësuesit turk, është bërë në shkelje të të drejtave të njeriut.
“Ekzekutimi i menjëhershëm i urdhrit të dëbimit Nr. 2125, datë 01.01.2020 nuk gjen asnjë mbështetje ligjore. Në nenin 112 të ligjit përcaktohen procedurat dhe mënyrat se si bëhet ekzekutimi i urdhrit të dëbimit. Ekzekutimi i menjëheshëm i urdhrit të dëbimit lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me kërcënimin për rendin dhe sigurinë publike kombëtare që vjen si pasojë e pranisë së të huajit në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Mohimi i të dretjës për t’iu drejtuar gjykatës dhe për të marrë një përgjigje përfundimtare prej saj për pretendimet e ngritura, përbën cenim të së drejtës themelorë për një proces të rregullt ligjor”, shkruan Avokati i Popullit.
Kujtojmë se shtetasi turk Harun Çelik u kap në Shqipëri, teksa tentonte të shkonte në Kanada përmes një pasaporte false. Pas qëndrimit në ambientet e paraburgimit, më janar të këtij viti policia e dëboi drejt Turqisë mësuesin i cili kishte kërkuar azil dhe që të mos ta deportonin, pasi në Turqi do ta dënonin për shkak se cilësohej si ‘gulenist’.
Mbi rastin e Harun Çelik pati një sërë reagimesh të forta, përfshi dhe faktorë ndërkombëtare./Express