Ish-mbrojtësi i Liverpoolit, Steven Nicol, beson se Mohamed Salahu është lojtari më irritues në Premierligë. Ai më tutje tha se fitoret janë si deodorant në Anfield pasi që i mbulojnë të gjitha erërat e këqija.
Liverpooli vazhdon të jetë lider i tabelës së Premierligës për edicionin 2019/20, duke i lënë shumë më prapa kundërshtarët e tjerë në Angli. Jurgen Kloppi e ka arritur këtë me një skuadër që përbëhet nga shumë yje, transmeton Gazeta Express.
Salahu nuk ka qenë aq mbresëlënës këtë sezon sa sezonet e kaluara, përkundër që ka thyer rekord duke arritur sërish t’i shënojë më shumë sesa 20 gola në një sezon. Megjithatë, Nicol beson se egjiptiani e ka aftësinë edhe të mahnitë edhe të irritojë baras gjatë ndeshjeve.
“Fitoret janë deodoranti i futbollit, pasi që i mbulojnë të gjitha erërat e këqija. Fitoret i mbulojnë shumë gjëra të këqija. Mund ta themi këtë edhe për Salahun”, ka thënë Nicol.
“Forma e Salahut këtë sezon… a ka ndonjë lojtar më irritues sesa ai në Premierligë ose në ligat e tjera shkaku i gjërave që i bën gjatë ndeshjeve? Por, pastaj, papritmas ai arrin të krijojë diçka”.
“Kështu që e njëjta gjë vlen edhe për të. Por, prapëseprapë, ai luan çdo ndeshje dhe pse? Sepse ata fitojnë në fund”. /Gazeta Express/