Si ndikon politika në futboll? Tregojnë Fatos Hoxha dhe Bylbyl Sokoli - Gazeta Express
string(68) "si-ndikon-politika-ne-futboll-tregojne-fatos-hoxha-dhe-bylbyl-sokoli"

Si ndikon politika në futboll? Tregojnë Fatos Hoxha dhe Bylbyl Sokoli

Gazeta Express

13/12/2019 20:48

Juristi dhe ish-sekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fatos Hoxha, dhe trajneri Bylbyl Sokoli besojnë se politika ndikon në futboll përmes të deleguarëve nga klubet.

Politika ka qenë temë kryesore edhe në botën e futbollit gjatë dy javëve të fundit në Kosovë, për shkak të raportimeve dhe fotografive që sugjeronin për implikime politike për mandatin e kryetarit të FFK-së, shkruan Gazeta Express.

Lexo Edhe:

Kryetari aktual Agim Ademi dhe zvëvendëssekretari i shkarkuar Arianit Ahmeti kanë qenë dy protagonistët në situatën e krijuar aktualisht në futbollin kosovar, për shkak të pretendimeve për mandatin e kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, shkruan Gazeta Express.

Ahmeti pretendon se Agim Ademi nuk ka mandat katërvjeçar deri në vitin 2022,  por vetëm deri ne vitin 2020 pasi që mandati i tij është vetëm vazhdim i mandatit të Fadil Vokrrit të ndjerë. Ai thotë se e ka mbështetjen e 41 prej gjithsej 59 delegatëve në FFK për ta rrëzuar Ademin nga posti i presidentit të FFK-së.

Pretendimin e Ahmetit fillimisht e mbështeti edhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e cila doli me një interpretim ligjor, me 17 muaj vonesë, se kuvendi në të cilin Ademi ishte zgjedhur kryetar ishte i parregullt. Nga ky interpretim u distancua ministri në detyrë, Kujtim Gashi, i cili tha se ai s’ishte qëndrim i Ministrisë dhe se personi që e kishte publikuar atë e kishte bërë pa dijeninë e të tjerëve.

Për më tepër, Ahmeti ishte fotografuar me ish-deputetin e PDK-së dhe anëtar i Këshillit Drejtues, Adem Grabovcin, si dhe ishte raportuar se ai ishte sjellë në Federatë nga Astrit Haraqija. Por, Hoxha dhe Sokoli besojnë se politika ndikon në futboll më së shumti përmes klubeve.

“Ndikimi i politikës në futboll nuk është i drejtpërdrejtë, por nëse e shikojmë organizimin e klubeve, atëherë ne e shohim që klubet nuk i mbajnë kuvendet zgjedhore të veta, që nuk kanë bord. Kemi informata se kryetari i komunës e cakton kryetarin e klubit. Kjo është e dëmshme”, ka thënë Hoxha në emisionin Favorit në T7.

Edhe Sokoli beson se te klubet ka implikime politike. “Në shumë qytete, statusi i klubeve nuk është i qartë. Nëse e kemi një qeverisje në Pejë të një partie, në Gjakovë, Prizren… nëpër shumë qytete klubet janë me status të organizatës joqeveritare dhe aty vendosin zyrtarët e klubeve”, ka thënë Sokoli në Favorit. /Gazeta Express/