Pas 13 vjetësh përballje nëpër gjykata, i njihet e drejta në pronë në bazë të trashëgimisë - Gazeta Express
string(89) "pas-13-vjetesh-perballje-neper-gjykata-i-njihet-e-drejta-ne-prone-ne-baze-te-trashegimise"

Pas 13 vjetësh përballje nëpër gjykata, i njihet e drejta në pronë në bazë të trashëgimisë

Gazeta Express

11/12/2019 18:33

Pas 13 vjetësh përpjekje e përballje nëpër gjykata, Afërdita Statovcit i është njohur e drejta e pronës në bazë të trashëgimisë.

Një gjë e tillë është zyrtarizuar në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku paditësja Statovci dhe i padituri Muharrem Haxhija, kanë arritur pajtim gjyqësor lidhur me kontestin që kishin pasur.

Lexo Edhe:

Përfaqësuesi i paditëses, Anton Nrecaj, nga organizata CLARD, e njoftoi gjykatësen e çështjes, Mihane Ismajli, se ndërmjet palëve është arritur një marrëveshje në zyrën e kësaj organizate, më 3 tetor 2019 dhe për këtë arsye ai i ka propozuar gjykatës që ky rast të përmbyllet me një marrëveshje gjyqësore mes palëve.

Me deklarimin e Nrecajt, është pajtuar edhe i padituri Haxhija, i cili ishte i pranishëm në seancë.

Sipas kësaj marrëveshje të arritur mes palëve, i padituri Haxhija detyrohet që t’ia njoh të drejtën në pronësi, paditëses Statovci dhe atë ½ e një parcele me sipërfaqe prej 657 m2, që gjendet në zonën kadastrale të Sllatinë të Madhe në Komunën e Fushë Kosovës.

Sipas pikës së dytë të marrëveshjes së arritur, paditësja dhe i padituri janë pajtuar që një parcelë bujqësore që ndodhet në zonën kadastrale, Harilaq, Komuna e Fushë Kosovës, me sipërfaqe prej 1 hektar e 8 ari e 74 m2, të ndajnë në dy pjesë, ashtu që, 58 ari e 74 m2, t’i takojnë të paditurit Haxhija, i cili në kadastër do të evidentohet si pronar i vetëm i kësaj parcele, kurse parcela tjetër me sipërfaqe prej 50 ari t’i takojë paditëses Statovci dhe e njëjta të njihet si pronare e vetme e kësaj parcele.

Këtë marrëveshje me palëve, me anë të aktvendimit e ka aprovuar pastaj gjykatësja Ismajli, e cila tha se ky pajtim gjyqësor ka tashmë edhe titull ekzekutiv.

Sa i përket shpenzimeve procedurale, përfaqësuesi i paditëses, Anton Nrecaj, tha se janë pajtuar me të paditurin që secili t’i bart shpenzimet e veta procedurale.

Ndryshe, në fillim të seancës, pasi që gjykatësja Ismajli tha se një ndër udhëzimet që ka dhënë Gjykata e Apelit kur e kishte kthyer rastin në rigjykim ka qenë që në këtë rast të bëhet precizimi i padisë, mirëpo përfaqësuesi i paditëses, Nrecaj tha se pas kthimit të këtij rasti në rigjykim, nuk ka pranuar asnjë shkresë nga ana e gjykatës.

Të drejtën e saj, paditësja Statovci e ka fituar pas një beteje 13 vjeçare nëpër gjykata, me padinë që ishte paraqitur qysh në shkurt të vitit 2006, mirëpo, ky rast dy herë ishte kthyer në rigjykim.

Me aktgjykimin e parë të ish-Gjykatës Komunale në Prishtinë, më 26 qershor 2009, ishte aprovuar kërkesa e paditëses Afërdita Statovci, ashtu që është vërtetuar se e njëjta është pronare e paluajtshmërisë lëndore, e cila gjendet në fshatin Sllatinë e Madhe, Komuna e Fushë Kosovës, vendi i quajtur “Selo-selo”, me sipërfaqe prej 657 m2, si dhe ngastrës kadastrale 361 m2, si dhe paluajtshnmërisë, që gjendet në Harilaq, Komuna e Fushë Kosovës, me sipërfaqe prej 1.08.74 ha.

Ndërsa, më 2 qershor 2010, ish-Gjykata Qarkut në Prishtinë, këtë rast e kishte kthyer në rigjykim, me arsyetimin se gjykata e shkallës së parë, gjatë procedurës së zhvilluar në këtë çështje kontestuese, kishte bërë shkelje qenësore nga dispozitat e nenit 182 al. 2, pika n, të LPK-së.

Pas kthimit në rigjykim, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 23 shtator 2016, kishte aprovuar tani për të dytën herë kërkesën e paditëses Afërdita Statovci, duke vërtetuar se ajo nga baza e trashëgimisë është pronare e ½ e pjesës ideale te paluajtshmërisë lëndore, e cila gjendet në fshatin Sllatinë e Madhe.

Por, ky vendim i nxjerrë nga Gjykata Themelore në Prishtinë, ishte kthyer në rishqyrtim dhe vendosje nga Gjykata e Apelit e Kosovës, më 2 maj 2019, me arsyetimin se qëndrimi dhe vendimi i shkallës së parë nuk është i drejtë dhe i ligjshëm, pasi që siç thuhet në aktvendim, aktgjykimi i atakuar është marrë me shkelje thelbësore nga neni 182 par. 2 pika n), e LPK-së, po ashtu sipas kësaj gjykate gjendja faktike nuk ishte vërtetuar në mënyrë të plotë dhe të drejtë, për të cilën arsye ka ardhur deri të zbatimi i gabuar i të drejtës materiale.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 27 shkurt 2006, paditësja Afërdita Statovci, kërkonte nga të paditurit Nazif Berisha dhe Lutfi Statovci, por të cilët i përfaqëson Muharrem Haxhia, bartjen e pronësisë dhe përcaktimit të së drejtës në pjesën e patundshmërisë.

Siç thuhet në padi, babai i paditëses Ramiz Statovci, së bashku me vëllain e tij, Lutfi Statovci, më 1 shkurt 1975, kanë blerë patundshmërinë në zonën kadastrale në fshatin Harilaq, në Komunën e Fushë Kosovës, me kulturë ari klasa e IV, në sipërfaqe prej 1ha 08 ari e 10 m2.

Sipas padisë, patundshmëria rregullisht është shfrytëzuar nga të dy vëllezërit në bashkëpronësi, ndërsa pas vdekjes së babait të paditëses, prona është shfrytëzuar vetëm nga i padituri Haxhi Statovci, axha i paditëses, edhe pse ajo ka qenë trashëgimtarja e vetme, të njëjtës nuk i është dhënë pjesa të cilën i padituri sipas kontratës ka pasur obligim që t’ia bartë asaj.

Mbi këtë bazë juridike, paditësja kërkonte nga gjykata që ta obligojë të paditurin që asaj t’ia bëjë bartjen e pronësisë, për të cilën pretendon se i takon.

Ndryshe, për këtë rast më 28 qershor 2018Organizatat CLARD dhe Qendra për Ndihmë Juridike e Institutit të Kosovës për Drejtësi (QNJ – IKD), kishin mbajtur konferencë për media, në të cilën kanë prezantuar rastin e paditëses Afërdita Statovci, e cila ka 13 vjet që kërkonte të drejtën e trashëgimisë.

Në raportin e tyre, ata kanë thënë se prej vitit 2006, paditësja Statovci ka filluar procedurën trashëgimore me qëllim të njohjes së të drejtës ligjore, respektivisht të ½ së pronës të cilën babai dhe axha i saj e kishin blerë në vitin 1975. Sipas tyre ajo në pajtim me ligjin mbi Procedurën Kontestimore dhe Ligjin mbi Trashëgiminë, kishte ushtruar padi ndaj shitësit dhe axhës për  bartjen e patundshmërisë.

Nrecaj nga CLARD kishte thënë se prej fillimit të procesit gjyqësor, vazhdimisht është përcjellë me shkelje të vazhdueshme dhe nuk është trajtuar në mënyrë të drejtë, të paanshme, profesionale dhe në kohë të arsyeshme. Nrecaj gjithashtu kishte thënë se gjykatësit me këtë lëndë kanë luajtur “ping pong”, duke ndërruar 16 gjykatës për 13 vite dhe duke e kthyer dy herë në rigjykim

Ndërsa, Yll Zekaj, Koordinator i QNJ – IKD, kishte thënë se në rastin e Afërdita Statovcit, përmes lojës së ping-pongut, janë shkelur të drejtat e saj dhe parimet kushtetuese. “Për ne si IKD dhe si Qendër për Ndihmë Juridike, ky është rast strategjik, për arsye se në Kosovë ka shumë Afërdita të tjera dhe kjo është vetëm një rast që i përfaqëson rastet e ngjashme. Ku një rast i trashëgimisë vazhdon për mbi 13 vite dhe në fund kthehet në pikën zero. Kemi shkelje jo vetëm të dispozitave ligjore por edhe të parimeve kushtetuese… Kemi 13 vjet që luhet ping-pong në shkallë të gjyqësorit, dy rishqyrtime meritore nga Gjykata e Apelit, duke përfshirë edhe një rishqyrtim procedural që kemi heqjen e klauzolës nga lënda që një herë ka qenë e plotëfuqishme”, kishte thënë Zekaj.

Nrecaj dhe Zekaj kishin thënë po ashtu se gjykata nuk ka përfillur rekomandimet e Avokatit të Popullit, që lëndët e tilla të mos marrin numër të ri dhe të nisin nga zero, por të konsiderohen lëndë të vjetra prej momentit kur janë paraqitur, sepse në të kundërtën zvarritjet dekadëshe sikurse në këtë rast, do të dekurajojnë gratë e tjera që të kërkojnë të drejtën e trashëgimisë së pronës.

Ndërsa, tani paditësja Statovci, në atë konferencë kishte thënë se vazhdimisht ka marrë kërcënime nga familjarët e saj për shkak të drejtës së trashëgimisë që ajo e kërkon, për të cilën ka sensibilizuar publikun për zvarritjet në lëndën e saj. Kurse, për mënyrën e trajtimit nga gjykatat për rastin e saj, ajo kishte thënë se nuk i jep shumë shpresë se do të ketë zgjidhje të rastit në kohë të arsyeshme dhe në mënyrë meritore. /BetimipërDrejtësi