E ardhmja e Infantinos si i pari i FIFA-s është në dyshim, një federatë evropiane e tërheq mbështetjen ndaj tij - Gazeta Express
string(110) "e-ardhmja-e-infantinos-si-i-pari-i-fifa-s-eshte-ne-dyshim-nje-federate-evropiane-e-terheq-mbeshtetjen-ndaj-tij"

Futboll

Gazeta Express

03/08/2026 17:20

E ardhmja e Infantinos si i pari i FIFA-s është në dyshim, një federatë evropiane e tërheq mbështetjen ndaj tij

Futboll

Gazeta Express

03/08/2026 17:20

Një shtet evropian është bërë i pari që ka tërhequr zyrtarisht mbështetjen për rizgjedhjen e Gianni Infantinos si president i FIFA-s.

Reputacioni i Infantinos është tronditur ndjeshëm pasi FIFA u detyrua të anulonte planet për t’u lejuar palëve të treta të bënin investime minoritare, pa kontroll, në një filial të ri të quajtur “FIFA Forward Enterprise” (FFE), i cili do të kishte për detyrë menaxhimin e të drejtave komerciale të të gjitha turneve të ardhshme.

Pas reagimeve të forta nga shumë federata kombëtare të futbollit, FIFA bëri një kthesë të plotë të shtunën (1 gusht), ndërsa UEFA dhe Federata Angleze e Futbollit (FA) ishin të bashkuara në kundërshtimin e këtij propozimi të diskutueshëm.

Të 55 federatat anëtare të UEFA-s kishin mbështetur më herët gjatë javës një bojkot të garave të FIFA-s, përfshirë Kupën e Botës për meshkuj dhe femra.

Në një deklaratë, Infantino tha se FIFA kishte “dëgjuar me kujdes të gjitha qëndrimet” dhe kishte arritur në përfundimin se projekti FFE nuk do të vazhdonte.

“Projekti FIFA Forward Enterprise ishte menduar të krijonte një bazë për forcimin e mëtejshëm të federatave tona anëtare dhe të futbollit në mbarë botën, veçanërisht në vendet ku mbështetja është më e nevojshme. Për më tepër, siç kemi thënë që në fillim, kjo do të bëhej vetëm nëse shumica e federatave anëtare të FIFA-s do ta mbështesnin dhe gjithmonë pas një procesi konsultimi me to, me Këshillin e FIFA-s, konfederatat dhe palët e tjera të interesuara”, tha ai.

Pasi dëgjuam me kujdes të gjitha mendimet, u bë e qartë se ky projekt ka krijuar përçarje të tilla që, pavarësisht nivelit të mbështetjes, nuk janë më në interes të objektivit fillestar. Qëllimi ynë ka qenë gjithmonë – dhe do të jetë gjithmonë – të bashkojmë dhe ta përmirësojmë futbollin.

Si rezultat, ky propozim nuk do të ecë përpara. Në ditët dhe javët e ardhshme synoj të rikthej të gjitha palët në tryezë, në frymën e interesit të përbashkët për lojën tonë dhe me objektivin për ta zhvilluar futbollin kudo, veçanërisht në vendet që kanë më shumë nevojë për mbështetjen tonë”, deklaroi Infantino.

Edhe pse shumë e konsideruan anulimin e projektit si vendimin e duhur, pozita e Infantinos si president i FIFA-s, detyrë që e mban që nga shkurti i vitit 2016, tashmë është vënë seriozisht në pikëpyetje.

Zvicerani synon të kandidojë sërish për një mandat të ri në vitin 2027, por UEFA, Concacaf dhe Federata Angleze tashmë kanë kërkuar një rishikim të drejtimit të organizatës.

Të hënën (3 gusht), Uellsi u bë vendi i parë që tërhoqi publikisht mbështetjen për kandidaturën e Infantinos.

Federata e Futbollit e Uellsit (FAW) i tha “Sky News”: “Konfirmojmë zyrtarisht tërheqjen e mbështetjes sonë për kandidaturën e zotit Gianni Infantino për rizgjedhjen si president i FIFA-s për mandatin 2027–2031. Dështimet e fundit në qeverisje të mirë, proceset vendimmarrëse, udhëheqje, vlera, menaxhimin e palëve të interesuara, komunikim dhe gjykim të shëndoshë kanë bërë që zoti Infantino të humbasë besimin e Federatës së Futbollit të Uellsit për të qëndruar në krye të futbollit botëror.

Mosvendosja e interesave më të mira të futbollit në plan të parë është një dështim që ne nuk mund ta pranojmë”.

Raportohet gjithashtu se FAW i ka dërguar FIFA-s një letër zyrtare ku shpjegon qëndrimin e saj ndaj Infantinos.

Zgjedhjet për presidentin e FIFA-s do të mbahen gjatë Kongresit të 77-të të FIFA-s më 18 mars në Rabat të Marokut, ku secila prej 211 federatave anëtare do të ketë nga një votë.

Përveç UEFA-s, e cila deklaroi se ka humbur “besimin” te “udhëheqja aktuale e FIFA-s”, edhe federatat e Holandës, Gjermanisë dhe Norvegjisë kanë bërë thirrje për ndryshime.

Federata Holandeze e Futbollit deklaroi: “Me tërheqjen e këtij propozimi, çështja nuk konsiderohet e mbyllur për KNVB-në. Mënyra se si është zhvilluar ky proces ka shkaktuar një thyerje themelore të besimit te udhëheqja e presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino. KNVB nuk ka më besim në drejtimin e tij”.

Presidentja e Federatës Norvegjeze, Lise Klaveness, u shpreh: “Ishte absolutisht e domosdoshme që Gianni Infantino dhe FIFA ta tërhiqnin këtë propozim. Kjo tashmë ka ndodhur dhe natyrisht jemi të kënaqur me rezultatin. Por kjo nuk duhet të përfundojë thjesht si një tjetër luftë për pushtet. Duhet ta shfrytëzojmë këtë moment për të jetuar sipas parimeve tona të qeverisjes dhe për ta larguar kulturën e brendshme nga frika dhe pozicionimet politike, duke e orientuar drejt më shumë transparence”.

Ndërkohë, presidenti i Federatës Gjermane të Futbollit, Bernd Neuendorf, e akuzoi Infantinon se ka vepruar “në mënyrë të njëanshme, jo transparente dhe, në fund të fundit, të papërgjegjshme ndaj interesit më të mirë të futbollit”./GazetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement