Një nga gjeneralët rusë që udhëheqin luftën e Rusisë kundër Ukrainës, Aleksandër Çajko, dyshohet se ishte objektivi i sulmit me bombë në një restorant në Moskë, ku humbën jetën pesë persona dhe u plagosën 19 të tjerë, sipas raportimeve të mediave ruse.
Sipas raportimeve, të cituara edhe nga Daily Mail, Çajko po festonte 55-vjetorin e lindjes në restorantin Balzi Rossi, vetëm disa qindra metra larg Kremlinit.
Bomba artizanale, e cila sipas mediave ishte e mbushur me sfera metalike për të rritur fuqinë shkatërruese, dyshohet se u fut në restorant nga një grua nën pretekstin e një dhurate. Pajisja shpërtheu pasi u identifikua brenda ambienteve të lokalit, ndërsa gruaja humbi jetën në vend.
Në festë, e cila sipas raportimeve kishte kushtuar mijëra euro, merrnin pjesë zyrtarë të lartë rusë, oficerë ushtarakë dhe përfaqësues të shërbimeve të sigurisë.
Mes pesë viktimave është edhe dhëndri i gjeneralit, 27-vjeçari Danil Perendri, ish-lojtar profesionist i hokejit mbi akull. Ndërkohë, vajza e tij 25-vjeçare, Maria Perendri, është në mesin e 19 të plagosurve dhe raportohet se ka pësuar lëndime të rënda në kokë.