Drejtori i marketingut i Bayern Munichut, Rouven Kasper, ka kritikuar klubet e Bundesligës, duke u bërë thirrje që të investojnë më shumë në promovimin ndërkombëtar dhe të ndjekin shembullin e klubit bavarez.
Komentet e tij erdhën pak para nisjes së turneut të dhjetë veror të Bayernit në Azi. Sipas Kasperit, ekziston një hendek i madh mes strategjisë ndërkombëtare të futbollit gjerman dhe asaj të ligave të tjera elitare në Evropë.
Duke folur për “Sky Sports”, ai kritikoi pasivitetin e klubeve gjermane.
“Pas përfundimit të sezonit, Leipzig zhvilloi një turne jashtë vendit, ndërsa këtë verë vetëm Bayern Munich dhe Borussia Dortmund po udhëtojnë nëpër botë. Paderborni do të shkojë në Shtetet e Bashkuara në shtator. Kjo është shumë pak. Klubet e Bundesligës duhet të mendojnë në mënyrë më strategjike”, deklaroi Kasper.
Ai theksoi se klubet angleze janë shumë më aktive në tregun ndërkombëtar.
“Anglezët udhëtojnë nëpër botë, prandaj edhe klubet gjermane duhet të jenë proaktive. Nuk mund të rrish në shtëpi dhe pastaj të ankohesh për rënien e të ardhurave. Nëse nuk bën asgjë, nuk do të fitosh asgjë.”
Sipas tij, futbolli gjerman duhet të kalojë kufijtë e vendit për të rritur praninë dhe popullaritetin në tregjet ndërkombëtare.
Zyrtari i Bayernit foli edhe për rënien e të ardhurave nga të drejtat televizive në tregje të rëndësishme.
“Është për të ardhur keq që rënia e të ardhurave mediatike në vende si Shtetet e Bashkuara dhe Japonia është bërë realitet. Pikërisht për këtë arsye, shoqata e ligës duhet të punojë së bashku me ne për të gjetur mekanizma strategjikë që do të rrisin aktivitetet ndërkombëtare, sepse Bayern Munich nuk mund të udhëtojë i vetëm në çdo cep të botës”, u shpreh ai.
Sipas të dhënave aktuale, Bundesliga përfiton 218 milionë euro nga të drejtat televizive ndërkombëtare dhe rreth 302 milionë euro në total, duke përfshirë edhe sponsorizimet.
Kjo shifër mbetet shumë larg Premierligës, e cila gjeneron rreth dhjetë herë më shumë të ardhura, si dhe La Liga, që siguron afërsisht trefishin e të ardhurave të Bundesligës.
Turneu veror i Bayern Munichut do ta çojë skuadrën në ishullin Jeju të Koresë së Jugut dhe më pas në Hong Kong, ku do të qëndrojë deri më 8 gusht.
Gjatë kësaj periudhe, bavarezët do të zhvillojnë dy ndeshje miqësore: më 4 gusht kundër Jeju SK dhe më 7 gusht ndaj Aston Villas.
Në fund, Kasper zbuloi edhe planet e Bayernit për zgjerimin e pranisë së klubit në tregjet ndërkombëtare.
“Tregjet tona të synuara janë të përcaktuara qartë. Në kontinentin amerikan deri tani jemi fokusuar në Amerikën e Veriut dhe atë Qendrore, por Amerika e Jugut po bëhet gjithnjë e më interesante. Në Azi gjithashtu kemi një strategji të qartë dhe tani duhet ta përqendrojmë vëmendjen te India, Indonezia dhe Tajlanda, ku synojmë të ndërmarrim iniciativa të reja”, përfundoi ai./GazetaExpress/