Spalletti i ashpër: Italia tentoi të përditësohej me Maldinin, por tashmë ka mbetur me një ‘telefon të vjetër’ - Gazeta Express
string(106) "spalletti-i-ashper-italia-tentoi-te-perditesohej-me-maldinin-por-tashme-ka-mbetur-me-nje-telefon-te-vjeter"

Futboll

Gazeta Express

31/07/2026 22:27

Spalletti i ashpër: Italia tentoi të përditësohej me Maldinin, por tashmë ka mbetur me një ‘telefon të vjetër’

Futboll

Gazeta Express

31/07/2026 22:27

Trajneri i Juventusit, Luciano Spalletti, ka shpjeguar se si e sheh talentin boshnjak Kerim Alajbegovic në skemën e tij, ndërsa nuk kurseu as kritikat ndaj Federatës Italiane të Futbollit pas rikthimit të Roberto Mancinit në stolin e Italisë.

Spalletti foli pas fitores 2-0 në ndeshjen miqësore ndaj Nice, ku golat u shënuan nga Douglas Luiz dhe Justin Oboavwoduo.

Merkatoja e Juventusit mbetet ende e hapur, me klubin që është në fazën finale të negociatave për transferimin e Randal Kolo Muanit nga Paris Saint-Germain dhe Kerim Alajbegovic nga Bayer Leverkusen.

Afrimi i talentit të Bosnje dhe Hercegovinës ka ngritur pikëpyetje se si do të përshtatet ai në një skuadër ku janë edhe Kenan Yildiz, Francisco Conceição dhe Kolo Muani.

“Aktualisht na mungon një sulmues qendre që di ta mbajë topin dhe një trekuartist që ta furnizojë atë. Kolo Muani është një sulmues shumë i kompletuar. Ai mund të tërhiqet më poshtë për të kombinuar me mesfushorët, sulmon hapësirat dhe ka luajtur edhe në krah. Alajbegovic e shoh më shumë si një trekuartist pas sulmuesit”, deklaroi Spalletti.

Kjo lë të kuptohet se Kenan Yildiz mund të vazhdojë të luajë në krahun e majtë, ndërsa Juventusi mund të rreshtohet me skemën 4-2-3-1, edhe pse Alajbegovic është i aftë të luajë edhe si anësor.

Spalletti mori drejtimin e Juventusit në tetor të vitit 2025, më pak se katër muaj pasi u shkarkua nga posti i trajnerit të Kombëtares së Italisë.

Pas largimit të tij, “Azzurrët” kaluan një periudhë të vështirë, duke ndërruar Gennaro Gattuson, trajnerin e përkohshëm Silvio Baldini dhe, së fundmi, rikthyen Roberto Mancinin.

Pozita e drejtorit teknik fillimisht ishte planifikuar t’i besohej Paolo Maldinit, por ai dha dorëheqjen pas vetëm tre javësh, duke i hapur rrugë Claudio Ranierit.

“Maldini përfaqësonte diçka të re, pikërisht atë që na duhej. Ishte si të përpiqesh të përditësosh sistemin e një telefoni që është vjetëruar. Thjesht nuk funksionon. Në vend që të blinim një telefon të ri, ne vendosëm të mbanim të vjetrin dhe të mos e përditësonim”, tha Spalletti.

I pyetur nëse Ranieri dhe Mancini janë njerëzit e duhur për ta rikthyer Italinë në rrugën e suksesit, trajneri i Juventusit u përgjigj: “Nuk mund ta di këtë. Maldini përfaqësonte kalimin në marshin e katërt dhe ecjen me shpejtësi përpara, ndërsa ne jemi kthyer sërish në marshin e dytë”./GazetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement