Juventusi ka hapur bisedimet e para me Manchester Cityn për një transferim të mundshëm të mesfushorit Tijjani Reijnders, ndërsa bardhezinjtë po shqyrtojnë alternativa pas ngecjes së negociatave me Franck Kessién.
Sipas “Tuttomercatoweb”, duke iu referuar “La Stampas”, Juventusi ka zhvilluar kontakte paraprake si me përfaqësuesit e Reijnders për të kuptuar gatishmërinë e tij për t’iu bashkuar projektit të klubit, ashtu edhe me Manchester Cityn për të parë nëse anglezët do të ishin të gatshëm ta lejonin largimin e tij në formë huazimi.
Për momentin nuk ka negociata zyrtare, por dialogu mes palëve pritet të vazhdojë në ditët në vijim.
Interesimi për Reijnders lidhet me dëshirën e Juventusit për të rifreskuar mesfushën, një repart që trajneri Luciano Spalletti dëshiron ta përforcojë.
Reprezentuesi i Holandës është një tjetër ish-lojtar i Milanit.
Ai iu bashkua Manchester Cityt vetëm një vit më parë për rreth 55 milionë euro, por thuhet se tashmë ka humbur terren në hierarkinë e skuadrës së Enzo Marescës, pavarësisht fillimit premtues në futbollin anglez.
Kandidatura e tij ka fituar më shumë terren edhe për shkak se marrëveshja me Franck Kessién ende nuk është finalizuar.
Ish-mesfushori i Milanit është lojtar i lirë që nga 30 qershori dhe ditët e fundit është afruar me një marrëveshje me Juventusin. Megjithatë, ai nuk është i gatshëm të presë pafundësisht dhe ka bërë të qartë se dëshiron ta zgjidhë sa më shpejt të ardhmen e tij.
Situata komplikohet edhe nga mbipopullimi në mesfushën e Juventusit, ku aktualisht janë tetë futbollistë. Për këtë arsye, klubi duhet të largojë të paktën një ose më shumë lojtarë përpara se të afrojë përforcime të reja.
Përveç Reijnders, Juventusi po monitoron edhe Leon Goretzkën dhe Davide Frattesin si alternativa, por për momentin holandezi konsiderohet emri më interesant në listën e objektivave të bardhezinjve./GazetaExpress/