Bosnja nuk i jep shtetësinë menaxherit të lartë rus në Telegram - Gazeta Express
string(63) "bosnja-nuk-i-jep-shtetesine-menaxherit-te-larte-rus-ne-telegram"

Lajme

Gazeta Express

30/07/2026 16:21

Bosnja nuk i jep shtetësinë menaxherit të lartë rus në Telegram

Lajme

Gazeta Express

30/07/2026 16:21

Shtetasi rus, Ilya Perekopsky, nënkryetar i aplikacionit Telegram, nuk do ta marrë shtetësinë e Bosnje e Hercegovinës.

Propozimi për dhënien e shtetësisë së Bosnje e Hercegovinës është hequr nga rendi i ditës i mbledhjes të së enjtes të Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë ministri i Transportit dhe Komunikimeve, Edin Forto.

Perekopsky, shtetas rus, kishte kërkuar shtetësinë e Bosnje e Hercegovinës si person me rëndësi të veçantë për shtetin.

Kërkesa është dorëzuar mbi bazën e rekomandimit të Odës Ekonomike të Republikës Sërpska, e cila ka vlerësuar se Perekopsky mund të ketë ndikim pozitiv në zhvillimin ekonomik dhe proceset zhvillimore në Bosnje e Hercegovinë.

Si një nga arsyet për këtë rekomandim është përmendur synimi i tij për të blerë aksione në kompaninë EVA Genesis me seli në Banjallukë, e cila ka paralajmëruar investime në fushën e marketingut dhe komunikimit digjital, teknologjinë e informacionit dhe industrinë e modës.

Pronare e EVA Genesis është shtetasja ruse, Lyudmila Budilova, e cila në shtator të vitit 2025 po ashtu mori shtetësinë e Bosnje e Hercegovinës si person me rëndësi të veçantë për ekonominë, pas rekomandimit të Odës Ekonomike të entitetit të Republikës Sërpska.

Ministria e Çështjeve Civile e Bosnje e Hercegovinës kishte konfirmuar më herët për Radion Evropa e Lirë se në rastin e Perekopskyt, janë marrë opinionet e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Bosnje e Hercegovinës, Shërbimit për Çështjet me të Huajt dhe Zyrës për Legjislacion të Këshillit të Ministrave. Përmbajtja dhe rezultatet e verifikimeve të sigurisë nuk janë bërë publike.

Perekopsky është një nga bashkëpunëtorët më të afërt të themeluesit të Telegramit, Pavel Durov. Para se t’i bashkohej Telegramit, ai ishte pjesë e drejtuesve të rrjetit social rus, VKontakte./REL/

Advertisement
Advertisement
Advertisement