“Na ka ndodhur që të punojmë në ndërtimtari në ora 1 të ditës me temperatura mbi 30 gradë”, ka rrëfyer M.Z nga Malisheva, i cili punon në sektorin e ndërimtarisë.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), ndërimtaria është sektor që përmban 9.6% të të punësuarave në Kosovë.
Një nga ta është edhe M.Z, 22-vjeçar i cili që dy vjet punon në ndërimtari për të mbajtur financiarisht veten dhe familjen e tij. Por, ankohet për kushtet e punës.
“Nuk ka siguri në punë, siç po e shihni sa shpesh po vdesin punëtorët në punë, por nuk po kam çka me bë, duhet me punu edhe në temperature të larta”.
Ai i bëri thirrje Inspektoratit Qendror të Punës që të ndërmarrin veprime gjatë temperaturave të larta.
“Shteti duhet me ndërhy, sepse shefi po na detyron me punu edhe kur po është shumë nxehtë”, tha ai.
I riu nuk sheh të ardhme në Kosovë, ai thotë që planifikon të marrë vizë për të punuar në shtetin e Gjermanisë.
Inspektorati Qendror i Punës mbylli disa punishte për shkak të temperatuave të larta
Më 1 qershor 2026, Inspektorati i Punës u ka bërë thirrje të gjithë punëdhënësve dhe punëmarrësve, veçanërisht atyre që punojnë në kantiere ndërtimi dhe ambiente të hapura, të tregojnë kujdes të shtuar për sigurinë dhe shëndetin në punë gjatë ditëve me temperatura të larta.
Gjatë kësaj vere për çështje që nuk lidhen me temperaturat e larta, Inspektorati Qendror i Punës ka ndaluar punimet në disa punishte për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e punëtorëve.
Por, po kërkohet një rregullore strikte ku gjatë temperaturave të larta punëtorët e ndërtimtarisë nuk duhet të punojnë.
Sindikata: Nuk duhet të punohet mbi temperaturat 33 gradë
Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të Sektorit Privat të Kosovës, ka përsëritur kërkesën që institucionet të miratojnë një rregullore të përhershme për ndërprerjen e punimeve në rastet kur temperaturat arrijnë nivele të larta.
Sipas tij, prej katër deri në pesë vjetësh ka kërkuar që të përcaktohet qartë se kur temperatura e jashtme arrin 33 gradë Celsius, punimet duhet të ndërpriten automatikisht, pa pasur nevojë për nxjerrjen e vendimeve të veçanta.
“Unë kam bërë apel që 4-5 vjet që të kemi një rregullore e cila e cakton qartë që kur temperatura e jashtme është 33 gradë celsius duhet të ndërpriten punimet dhe kjo të bëhet me vendime, sepse ka pasur raste kur për një javë temperatura ka shkuar deri 35-37 gradë celsius dhe nuk u nxjerrke një vendim”, tha Azemi.
Ai tha se në mungesë të një rregulloreje të tillë, punëdhënësit shpesh kërkojnë bazë ligjore për ndërprerjen e punës.
“Unë kam pasur raste që më kanë thënë kompanitë që ti po thua ta ndalojmë punën, por a ke ndonjë vendim që duhet ta ndërpresim. Pra, nuk duhet të nxjerrën vendime për çdo ditë. Duhet ta kemi një rregullore që kur vjen kjo temperaturë punimet duhet të ndërpriten”, u shpreh ai.
Azemi shtoi se ditët e humbura të punës mund të kompensohen më vonë, duke theksuar se punëtorët e sektorit privat tashmë punojnë edhe përtej orarit.
“Çdoherë mund të gjendet kohë për kompensimin e atyre ditëve, edhe pse dihet që punëtorët e sektorit privat punojnë përtej orarit”, deklaroi Azemi.
Naim Bajraktari: Duhet të shmanget puna nga 11:00 deri në 16:00
Naim Bajraktari, ekspert i sigurisë dhe shëndetit në punë, ka deklaruar se temperaturat e larta përbëjnë një rrezik serioz për jetën dhe shëndetin e punëtorëve në sektorin e ndërtimtarisë, pasi ata janë të ekspozuar drejtpërdrejt ndaj rrezeve të diellit.
Sipas tij, temperaturat e larta mund të shkaktojnë marramendje, plogështi, dhimbje koke dhe probleme të tjera shëndetësore, duke rritur ndjeshëm rrezikun e rënieve nga lartësia dhe aksidenteve me makineri të rënda.
Ai thekson se, sipas standardeve të sigurisë dhe shëndetit në punë, punëdhënësi ka detyrim ligjor të zbatojë masa organizative, teknike dhe të sigurojë pajisje personale mbrojtëse për punëtorët.
“Duhet të shmangen punët më të rënda fizike gjatë pikut të nxehtësisë, zakonisht nga ora 11:00 deri në 16:00. Rekomandohet që puna të nisë më herët në mëngjes, kur temperaturat janë më të ulëta”, thotë Bajraktari.
Ai shton se gjatë ditëve me temperatura ekstreme duhet të organizohen ndërprerje të shkurtra të punës.
“Rekomandohet që punëtorët të kenë pushime prej 10 deri në 15 minuta për çdo orë pune, në ambiente të freskëta ose të hijezuara”, thekson ai.
Sa i përket masave teknike, Bajraktari thotë se punëdhënësi duhet të sigurojë ujë të freskët dhe pije me elektrolite në sasi të mjaftueshme pranë zonës së punës.
“Punëtorët duhet të nxiten të pinë ujë çdo 15 deri në 20 minuta. Po ashtu, duhet të improvizohen ose të sigurohen hapësira të hijezuara dhe të ajrosura mirë, ku ata mund të pushojnë gjatë pauzave”, deklaron ai.
Sipas Bajraktarit, rëndësi të veçantë kanë edhe pajisjet personale mbrojtëse.
“Punëdhënësi duhet të sigurojë veshmbathje mbrojtëse prej materiali të lehtë që lejon ajrosjen, si pambuku, me ngjyra të çelëta, si dhe kapele ose helmeta me mbrojtëse ndaj diellit”, përfundon eksperti i sigurisë dhe shëndetit në punë.
Psikiatrja: Numër i madh të punëtorëve të ndërtitmarisë vijnë për trajtim të shëndetit mendor
Valbona Tafilaj, psikiatre, ka thënë se kushtet e vështira të punës, pasiguria ekonomike dhe mungesa e sigurimeve shëndetësore ndikojnë drejtpërdrejt në gjendjen psiko-emocionale të punëtorëve, veçanërisht të atyre që kryejnë punë të rënda fizike.
Sipas saj, punëtorët në ndërtimtari shpesh përballen me presion të madh për ta ruajtur vendin e punës, edhe kur kushtet e punës nuk janë të favorshme.
“Për shembull i kemi punëtorët të cilët punojnë në ndërtimtari, të cilët duhet me punu shumë për ta mbajtur atë vend pune. Paguhen pak, por duhet me mbajt atë vend të punës. Nuk kanë sigurime, që është edhe një stres për ta”, ka thënë Tafilaj.
Ajo thekson se lodhja fizike, mungesa e gjumit dhe ngarkesa e vazhdueshme mund të ndikojnë në shfaqjen e çrregullimeve psiko-emocionale, sidomos te punëtorët që kryejnë punë me rrezik të lartë.
“Nëse e kemi një punëtor që duhet me hipur në katin e dytë apo të tretë, lodhja, pagjumësia dhe këta komponentë janë faktorë që ndikojnë në një çrregullim psiko-emocional, sidomos te punëtorët që i bëjnë punët më të rënda”, është shprehur ajo.
Tafilaj ka thënë se rritja e rasteve me pasoja fatale në vendet e punës lidhet edhe me kushtet dhe trajtimin e punëtorëve.
“Normalisht, po kemi edhe vdekje më shumë dhe po janë si pasojë e keqtrajtimit në vende të punës”, ka deklaruar psikiatrja.
IdeoNgritja mbështetet përmes skemës së granteve Digital Spark, në kuadër të projektit Regional Support Mechanism EECA, i zbatuar nga Metamorphosis Foundation dhe TechSoup, në partneritet me CIVICUS dhe në kuadër të iniciativës Digital Democracy Initiative (DDI), e cila mbulon vendet e Jugut Global.