Një hetim urgjent është duke u zhvilluar në Kenia pas ngordhjes së 14 elefantëve në mënyrë misterioze në rajonin jugor të vendit, pranë Parkut Kombëtar Amboseli.
Shërbimi i Jetës së Egër të Kenias (KWS) bëri të ditur për BBC se ekspertët po analizojnë trupat e kafshëve, ndërsa mostrat e indeve janë dërguar në laboratorë për të përcaktuar nëse vdekjet kanë ardhur si pasojë e ndonjë sëmundjeje, helmimi apo faktorësh të tjerë.
Parku dhe zonat përreth tij përbëjnë ekosistemin Amboseli, një territor i gjerë që shtrihet deri në kufirin me Tanzaninë dhe është i njohur në mbarë botën për pasurinë e tij të faunës së egër.
Sipas zyrtarëve, kjo është hera e parë në dekada që në këtë zonë regjistrohet një numër kaq i lartë vdekjesh të elefantëve, ndërsa autoritetet kanë arritur të reduktojnë ndjeshëm gjuetinë e paligjshme.
KWS theksoi se deri tani nuk ka prova që të tregojnë një shkak të vetëm të ngordhjes së kafshëve. Elefantët e prekur i përkasin moshave dhe gjinive të ndryshme, çka sugjeron se nuk bëhet fjalë për një incident që prek vetëm një grup familjar apo një kategori të caktuar të popullsisë.
Kreu i komunikimit të agjencisë, Duncan Wanyama, deklaroi për mediat lokale se trupat e elefantëve janë gjetur në zona të ndryshme rreth Parkut Kombëtar Amboseli, në distanca nga 15 deri në 30 kilometra nga kufijtë e tij.
Sipas të dhënave të organizatës “Amboseli Trust for Elephants”, e cila monitoron lëvizjet e kafshëve, më shumë se 2 mijë elefantë jetonin në ekosistemin e Amboselit gjatë vitit 2025.
Zbuloni si ndërtohet cilësia përmes mbi 1.000 kontrolleve, testimeve të pavarura dhe respektimit të standardeve strikte të Bashkimit Evropian.*...