Mes raportimeve për tensione të vazhdueshme në marrëdhënien me fëmijët e tij, Brad Pitt është shfaqur i buzëqeshur dhe i relaksuar gjatë një daljeje romantike në Paris me partneren e tij, Ines de Ramon.
Paraqitja e çiftit vjen pak ditë pasi mediat ndërkombëtare raportuan se Maddox Jolie ka ndërmarrë hapa ligjorë për të mos përdorur më mbiemrin “Pitt”, një zhvillim që ka rikthyer vëmendjen te raportet e komplikuara familjare të aktorit.

Megjithatë, 62-vjeçari dukej larg tensioneve mediatike, teksa u fotografua dorë për dore me partneren e tij 33-vjeçare në rrugët e kryeqytetit francez. Dyshja morën pjesë në një koncert të “Red Hot Chili Peppers”, ku u panë edhe në shoqërinë e regjisorit David Fincher dhe bashkëshortes së tij.
Brad Pitt dhe Ines de Ramon janë në lidhje që nga fundi i vitit 2022, ndërsa daljet e tyre publike janë bërë më të shpeshta, duke shtuar zërat se marrëdhënia e tyre po bëhet gjithnjë e më serioze.

Për mbrëmjen në Paris, Pitt u shfaq me një stil elegant dhe të kuruar, ndërsa Ines tërhoqi vëmendjen me një paraqitje të thjeshtë, por elegante.

Ndërkohë, vëmendja e mediave mbetet e përqendruar te raportet mes aktorit dhe fëmijëve të tij me Angelina Jolie, pasi disa prej tyre thuhet se kanë hequr ose nuk përdorin më mbiemrin e tij.
Pavarësisht polemikave familjare, Brad Pitt u pa i qetë dhe në humor të mirë, duke shijuar atmosferën e Parisit në krah të partneres së tij. /GazetaExpress/