Kryeministri Albin Kurti u zotua me fillimin e kësaj fushate për një kthesë zhvillimore të ekonomisë së Kosovës: për një ekonomi që ndërton themele për prodhim vendor, eksporton prodhimet e saj dhe krijon vende pune me paga të dinjitetshme.
Kosova ka nevojë për më shumë prodhim, më shumë industri dhe më shumë ndërmarrësi vendore. Shtetet që sot janë të fuqishme ekonomikisht e kanë ndërtuar zhvillimin e tyre duke mbështetur prodhimin vendor, industrinë dhe teknologjinë. Gjermania, Koreja e Jugut, Austria apo Polonia u zhvilluan duke ndërtuar industri konkurruese, banka zhvillimore dhe politika aktive ekonomike.
Pikërisht për këtë arsye, Qeveria Kurti ka vendosur prodhimtarinë dhe industrinë në qendër të politikës ekonomike.
Një nga shtyllat kryesore të këtij transformimi do të jetë Banka Zhvillimore, përmes së cilës do të mbështeten projektet strategjike dhe prioritare. Në ekonomitë bashkëkohore, bankat zhvillimore kanë qenë instrument kyç për industrializimin dhe rritjen ekonomike. Banka publike gjermane KfW, vazhdon të jetë një nga motorët kryesorë të financimit industrial dhe teknologjik në Gjermani.
Përmes skemave të nënhuazimit, duke shfrytëzuar sektorin bankar, do të mbështeten ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe individët, për investime në fushat prioritare me kushte të favorshme financimi. Ndërkaq, përmes letërgarancive për pagesa do të ndihmohen prodhuesit dhe eksportuesit që të kenë qasje më të lehtë në financim dhe likuiditet.
Një nga zotimet më të mëdha ekonomike të programit është Programi 1 miliardë euro për prodhim dhe industri. Përmes këtij programi do të mbështeten projektet strategjike dhe prioritare të industrisë, përfshirë industrinë kreative.
Për të ndërtuar një ekonomi më të qëndrueshme dhe vende pune me paga më të larta, do të mbështeten investimet në kapacitete prodhuese përmes garantimit të kredive për investitorët, në vlerë prej 1 miliard eurosh. Secili investitor do të ketë mundësinë të përfitojë nga garancia shtetërore për kredinë e nevojshme për investim, duke siguruar qasje më të lehtë në financim dhe kosto më të ulët të kreditimit.
Në Kosovë, importi i mallrave vazhdon të jetë disa herë më i lartë sesa eksporti, ndërsa deficiti tregtar mbetet ndër sfidat kryesore të ekonomisë. Kjo do të thotë se miliarda euro dalin jashtë vendit çdo vit për produkte që Kosova mund t’i prodhojë vetë. Në shumë sektorë, nga përpunimi ushqimor deri te materialet ndërtimore dhe teknologjia, ekziston potencial real për rritje të prodhimit vendor dhe zëvendësim të importeve.
Për këtë arsye, politika industriale është domosdoshmëri zhvillimore. Edhe Bashkimi Evropian sot po rikthen politikat industriale përmes investimeve në teknologji, industri strategjike dhe prodhim vendor, sidomos pas krizave globale të zinxhirit të furnizimit dhe rritjes së konkurrencës ndërkombëtare.
Një tjetër masë e rëndësishme do të jetë amortizimi i përshpejtuar për investimet e reja. Bizneset që realizojnë investime të reja do të përfitojnë nga mundësia që një pjesë më e madhe e vlerës së investimit të zbritet në vitet e para të përdorimit.
Kjo ul detyrimet tatimore në fazën fillestare të investimit, kur kostot për biznesin janë më të larta, dhe u lë kompanive më shumë mjete financiare në dispozicion për paga, lëndë të parë, zgjerim të prodhimit dhe investime të reja. Përmes kësaj mase përmirësohet likuiditeti i bizneseve dhe lehtësohet zhvillimi i kapaciteteve prodhuese. Amortizimi i përshpejtuar përdoret gjerësisht edhe në ekonomitë evropiane për të nxitur investimet industriale dhe modernizimin teknologjik.
Pra, më shumë prodhim vendor, më shumë eksport, më shumë vende pune dhe industri që e bëjnë Kosovën më të fortë ekonomikisht.
Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe Kryeministri Kurti besojnë në një shtet që nuk rri anash ekonomisë, por e mbështet prodhimin, investimin dhe punën. Sepse një ekonomi që prodhon është një shtet që zhvillohet, ndërsa një shtet që heq dorë nga industria, heq dorë edhe nga zhvillimi afatgjatë.
Në kushtet e ekonomisë të shekullit XXI, sovraniteti ekonomik nënkupton aftësinë e shtetit për të ndërtuar kapacitete prodhuese, për të zhvilluar industri konkurruese, për të mbështetur inovacionin dhe për të krijuar vlerë brenda ekonomisë së vet. Prandaj, investimi në industri, energji, teknologji dhe financa zhvillimore nuk është vetëm politikë ekonomike, por pjesë e ndërtimit të sigurisë, qëndrueshmërisë dhe sovranitetit ekonomik të Republikës së Kosovës.