Grupi i Vëzhguesve Teknik të UEFA-s e ka shpallur Khvicha Kvaratskhelian si “Lojtarin e Sezonit 2025/26” të Ligës së Kampionëve.
Anësori i talentuar gjeorgjian luajti një rol të madh në triumfin e dytë radhazi të Paris Saint-Germainit në Champions.

Ai ka arritur të shënojë 10 gola, duke dhënë edhe 6 asistime gjatë gjithë kompeticionit, teksa shkëlqeu në krahun e majtë.
Ai ishte vendimtar edhe në finalen kundër Arsenalit, ku u rrëzua nga Cristhian Mosquera për një penallti që më pas u shndërrua në gol nga Ousmane Dembélé, duke e barazuar rezultatin në 1-1 për ekipin e Luis Enriques.
Ndoshta paraqitja më e mirë e Kvaratskhelias erdhi në gjysmëfinalen e paharrueshme, në ndeshjen e parë të fituar 5-4 ndaj Bayern Munichut, ku ai shënoi një gol spektakolar për të barazuar në 1-1, para se të shtonte edhe një goditje të fuqishme në pjesën e dytë për të kompletuar një dopietë të shkëlqyer./GazetaExpress/