Kandidati për deputet nga radhët e Partia Demokratike e Kosovës, Artan Behrami, është pritur ngrohtësisht nga qytetarët e Drenicës gjatë një takimi të zhvilluar në fshatin Kuçicë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Behrami ka bërë të ditur se në këtë fshatë ka gjetur mbështetje të madhe dhe mobilizim të qytetarëve për zgjedhjet e 7 qershorit.
“Në Kuçicë me njerëz të mirë të Drenicës. Kësaj radhe mobilizim total për fitoren e PDK-së më 7 qershor, përpara arritjes së krerëve të UÇK-së. Edhe? Dihet!”, ka shkruar Behrami.
Sipas tij, atmosfera në Drenicë reflekton vendosmërinë e qytetarëve për t’i dhënë mbështetje Bedri Hamza dhe kandidatëve të PDK-së në zgjedhjet e ardhshme.
Takimi në Kuçicë u karakterizua nga një pjesëmarrje e konsiderueshme e qytetarëve, të cilët shprehën përkrahjen e tyre për programin dhe vizionin e PDK-së, duke e kthyer tubimin në një mesazh të qartë mobilizimi politik në zemër të Drenicës.
Behrami garon me numrin 75 në listën zgjedhore të PDK-së, ndërsa ka intensifikuar aktivitetet dhe takimet me qytetarë në të gjitha trevat e Kosovës në prag të zgjedhjeve të 7 qershorit.