Finalja e madhe mes Paris Saint-Germainit dhe Arsenalit nuk do të jetë vetëm një duel sportiv mes dy superfuqive evropiane, por edhe një përballje mes dy prej skuadrave më të shtrenjta në botën e futbollit.
Sipas vlerësimeve të “Transfermarkt”, të dy klubet kanë organika që e kalojnë shifrën e 1 miliard eurove në vlerë tregu, përcjell “Gazeta Express”.
Skuadra londineze e drejtuar nga Mikel Arteta vlerësohet rreth 1.2 miliard euro, ndërsa Paris Saint-Germaini e ka një organikë me vlerë mbi 1.1 miliard euro.
Vetëm Real Madridi dhe Manchester City kanë skuadra me vlerë më të lartë në futbollin evropian aktualisht.
Interesant është fakti se lojtarët më të kushtueshëm në këtë superfinale nuk janë sulmuesit klasikë, por kryesisht mbrojtësit dhe mesfushorët.
Te Arsenali, Declan Rice dhe William Saliba konsiderohen ndër asetet më të vlefshme të skuadrës, ndërsa Bukayo Saka mbetet lideri ofanziv për nga vlera e kartonit.
Nga ana tjetër, PSG-ja mbështetet te një brez i ri yjesh me vlera shumë të larta tregu.
Mesfushorë si Joao Neves dhe Vitinha, por edhe mbrojtës si Achraf Hakimi dhe Nuno Mendes, konsiderohen pjesë e elitës së futbollit evropian për nga potenciali dhe çmimi në treg.
Në total, bëhet fjalë për një finale me vlerë të kombinuar mbi 2.3 miliardë euro, një nga më të shtrenjtat në historinë e Champions League.
Diferenca ekonomike mes dy skuadrave është minimale, çka reflekton edhe balancën sportive që e ka karakterizuar sezonin e tyre evropian.
Arsenali e ka ndërtuar vlerën e tij mbi një projekt afatgjatë me lojtarë të rinj që janë rritur ndjeshëm në treg gjatë viteve të fundit.
Vetëm në një sezon, vlera totale e skuadrës londineze është rritur me qindra miliona euro falë zhvillimit të futbollistëve si Saliba, Martin Odegaard, Gabriel Martinelli dhe Rice.
PSG, në anën tjetër, vazhdon t’i kombinojë investimet e mëdha me talentet e reja, duke e krijuar një skuadër ku eksperienca dhe rinia bashkëjetojnë në nivelin më të lartë.
Kampionët francezë synojnë ta konfirmojnë dominimin e tyre evropian, ndërsa Arsenali e kërkon rikthimin e madh në majën e futbollit kontinental.
Përtej spektaklit në fushë, kjo finale e përfaqëson edhe evolucionin ekonomik të futbollit modern, ku mbrojtësit dhe mesfushorët po marrin gjithnjë e më shumë peshë në treg, shpesh duke i kaluar në vlerë edhe emrat më të mëdhenj të repartit ofanziv. /Gazeta Express