Administrata e Donald Trump ka publikuar një valë të re dosjesh për UFO-t, duke përfshirë dokumente, fotografi dhe 46 video të papublikuara më parë që ishin kërkuar nga ligjvënës amerikanë.
Materialet u publikuan në faqen zyrtare të Departamentit të Luftës dhe përfshijnë audio të misionit Apollo 12, ku astronautët raportojnë objekte misterioze gjatë qëndrimit në hapësirë.
Dosjet përmbajnë gjithashtu raportime për sfera portokalli ndriçuese pranë një helikopteri ushtarak, “topa zjarri” të pazakontë në New Mexico dhe dokumente inteligjence që përshkruajnë fenomene ajrore të paidentifikuara pranë një zone sovjetike testimi armësh.
Në publikim përfshihet edhe koleksioni i shumëpritur me 46 video ushtarake UAP (fenomene ajrore të paidentifikuara), të kërkuara muajin e kaluar nga Kongresi amerikan.
Pamjet përfshijnë objekte në formë “Tic Tac” të ndjekura nga Roja Bregdetare amerikane, sfera të ndritshme mbi Afganistan, objekte të paidentifikuara që dalin nga oqeani dhe UAP që lëvizin me shpejtësi të madhe pranë avionëve ushtarakë mbi Gjirin Persik, Detin e Kinës Lindore dhe hapësira të kufizuara ajrore amerikane.





Një nga pretendimet më të forta lidhet me një raport sipas të cilit një avion luftarak amerikan F-16 ka rrëzuar një UAP mbi liqenin Huron në shkurt 2023 me një raketë AIM-9X.
Sekretari i Luftës, Pete Hegseth, deklaroi se publikimi është pjesë e përpjekjes së administratës Trump për “transparencë të paprecedentë” mbi njohuritë e qeverisë amerikane për fenomenet ajrore të paidentifikuara.
“Këto dosje të fshehura për vite me radhë kanë ushqyer spekulime të justifikuara dhe është koha që publiku amerikan t’i shohë vetë”, tha ai.
Dosjet lidhen me një kërkesë të marsit 2026 nga tetë anëtarë të Kongresit, të cilët kërkuan qasje në 51 materiale potencialisht të lidhura me UFO-t.
Megjithatë, autoritetet pranuan se shumë prej dokumenteve nuk kanë zinxhir plotësisht të verifikuar origjine, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si janë siguruar dhe autentifikuar materialet.
Trump reagoi edhe në rrjetin Truth Social, ku tha se kishte urdhëruar publikimin e dokumenteve për “transparencë maksimale” lidhur me jetën jashtëtokësore, UFO-t dhe fenomenet ajrore të paidentifikuara.
“Aty ku administratat e mëparshme nuk kanë qenë transparente, tani njerëzit mund të vendosin vetë se çfarë po ndodh”, shkroi ai.

Mes videove më të komentuara janë pamje të objekteve që lëvizin me shpejtësi ekstreme, ndahen në ajër, pulsojnë mbi ujë apo zhduken papritur.
Një video e titulluar “Syrian UAP instant acceleration” tregon një objekt që përshpejton papritur në hapësirën ajrore siriane gjatë një operacioni ushtarak në vitin 2021.
Dokumentet përfshijnë gjithashtu incidente pranë bazës ajrore Eglin, Kabulit, aeroportit ndërkombëtar Karaganda në Kazakistan dhe mbi Ohio.
Një tjetër pjesë e dosjeve përfshin audio nga një debriefing mjekësor i astronautëve të Apollo 12 në vitin 1969. Astronautët Pete Conrad, Richard Gordon dhe Alan Bean përshkruanin drita dhe shkëndija misterioze që shihnin në errësirë gjatë misionit.
NASA më vonë arriti në përfundimin se fenomeni lidhej me efekte vizuale të brendshme dhe jo me burime të jashtme drite.
Publikimi përfshin edhe dokumente për më shumë se 200 raportime të “sferave të gjelbra”, disqeve dhe topave të zjarrit pranë një baze ushtarake në Sandia, New Mexico, mes viteve 1948-1950.
Dëshmitarët raportuan objekte që manovronin, zhdukeshin papritur apo shpërthenin në ajër. /GazetaExpress/