Dokumente të reja të publikuara nga SHBA kanë zbuluar qindra raportime për objekte të paidentifikuara fluturuese pranë një prej qendrave më të rëndësishme të armëve bërthamore amerikane gjatë viteve të para të Luftës së Ftohtë.
Dosjet lidhen me bazën Sandia në Albuquerque, New Mexico, një qendër kyçe e programit amerikan të armëve bërthamore pas Luftës së Dytë Botërore. Sipas dokumenteve, mes viteve 1948 dhe 1950 u regjistruan të paktën 209 raste të fenomeneve ajrore të pashpjeguara.
Raportet përshkruajnë “topa zjarri të gjelbër”, disqe fluturuese dhe objekte të ndritshme që lëviznin mbi zona të ndjeshme ushtarake, duke alarmuar agjencitë e inteligjencës dhe ushtrinë amerikane.
Në një nga raportet thuhet se numri i shikimeve ishte bërë aq shqetësues, sa autoritetet vendosën të krijonin një sistem të organizuar raportimi dhe hetimi për këto fenomene.

Dokumentet tregojnë se shkencëtarët dhe hetuesit ushtarakë zhvilluan edhe misione ajrore për mbledhjen e grimcave në atmosferë, në përpjekje për të gjetur prova fizike të lidhura me objektet misterioze.
Pas një shpërthimi të një objekti të zjarrtë mbi New Mexico në vitin 1949, studiuesit raportuan se kishin zbuluar grimca të pazakonta që përmbanin bakër dhe kobalt. Disa prej tyre përshkruheshin si sfera perfekte mikroskopike, materiale që sipas ekspertëve nuk përputheshin me përbërjen tipike të meteoritëve.
Megjithatë, dokumentet nuk arrijnë në përfundimin se objektet kishin origjinë jashtëtokësore. Ato tregojnë vetëm se autoritetet amerikane i trajtuan incidentet si çështje serioze të sigurisë kombëtare, duke përfshirë agjenci inteligjence, specialistë të meteorëve dhe personel të lidhur me armët sekrete.
Publikimi i këtyre dosjeve pritet të rrisë edhe më shumë interesin dhe spekulimet rreth zonës së njohur si “Trekëndëshi Bërthamor” i New Mexico-s, ku prej dekadash raportohen incidente të shumta me UFO pranë infrastrukturës bërthamore amerikane. /GazetaExpress/