Programet sekrete të CIA-s për kontrollin e mendjes, armët biologjike dhe eksperimentet mbi njerëzit janë rikthyer në qendër të vëmendjes në SHBA, ndërsa ligjvënësit po kërkojnë rihapjen e dosjeve të famshme të projektit MKUltra.
AJ Gentile, krijuesi i emisionit “The Why Files”, tha se shumë amerikanë nuk e kuptojnë sa shqetësuese kanë qenë eksperimentet e CIA-s gjatë Luftës së Ftohtë. Sipas tij, historia e MKUltra-s lidhet me abuzimin e pushtetit, manipulimin psikologjik dhe shkeljen e të drejtave të qytetarëve.


Një nga operacionet më të debatueshme ishte “Operation Sea-Spray”, ku në vitin 1950 baktere u shpërndanë fshehurazi mbi San Francisko për të testuar sa të pambrojtura ishin qytetet amerikane ndaj sulmeve biologjike. Eksperimentet shkaktuan infeksione të rralla te disa qytetarë që u ekspozuan ndaj baktereve.
Në qendër të teorive dhe dyshimeve mbetet edhe vdekja e shkencëtarit të CIA-s, Frank Olson, i cili ra nga një hotel në New York në vitin 1953 pasi ishte droguar fshehurazi me LSD nga kolegët e lidhur me MKUltra. Rasti vazhdon të ushqejë dyshime për një mbulim të së vërtetës nga qeveria amerikane.



Programi MKUltra u krijua zyrtarisht në vitin 1953 me synimin për të zhvilluar metoda kontrolli mendor dhe teknikash marrjeje në pyetje gjatë Luftës së Ftohtë. Dokumentet e zbuluara më vonë treguan se CIA eksperimentoi me LSD, hipnozë, izolim shqisor dhe forma të tjera torture psikologjike, shpesh mbi persona që nuk ishin në dijeni.
Sipas raportimeve, gjatë viteve 1953-1964 u zhvilluan 144 projekte sekrete në kuadër të MKUltra-s. Shumica e dokumenteve u shkatërruan dekada më parë, gjë që ka shtuar dyshimet dhe teoritë rreth asaj që ndodhi realisht.
Debati është rindezur pas pretendimeve se dosje të rëndësishme për MKUltra-n dhe vrasjen e John F. Kennedy janë marrë nga CIA edhe pse po përgatiteshin për deklasifikim publik.
Ekspertët thonë se mosbesimi i publikut ndaj agjencive të inteligjencës lidhet me dekada sekreti dhe operacionesh të fshehta që për shumë vite konsideroheshin vetëm teori konspirative. /GazetaExpress/