Agjencia federale e inovacionit e Gjermanisë, SPRIND, po lançon një garë prej 125 milionë eurosh për inteligjencën artificiale (AI), me qëllim që ta ndihmojë Evropën të krijojë laboratorët e saj të “frontier AI” (AI më e avancuar).
E quajtur “Next Frontier AI”, kjo iniciativë synon të financojë kompani që mund të bëhen versioni evropian i OpenAI ose DeepSeek.
Kjo vjen në një kohë kur vendet evropiane po shqetësohen gjithnjë e më shumë për varësinë nga kompanitë amerikane dhe kineze të AI-së.
“Gjermania po e udhëheq këtë sepse nuk kemi kohë për të pritur aktorë të tjerë që të hyjnë në këtë fushë. Gara globale nuk po ndalet. Prandaj duhet të veprojmë tani dhe në mënyrë evropiane,” tha Jano Costard nga SPRIND për Euronews Next.
Në botë, kompanitë kryesore të AI-së si OpenAI dhe Anthropic janë me bazë në SHBA dhe kanë marrë miliarda dollarë investime private. Edhe Kina po avancon shpejt, me DeepSeek që ka lansuar modelin e saj V4 në prill, duke rritur presionin mbi Evropën.
Iniciativa e SPRIND do të zhvillohet në tre faza gjatë 24 muajve, sipas agjencisë.
Në fazën e parë, deri në dhjetë ekipe mund të marrin secili deri në 3 milionë euro financim. Deri në gjashtë ekipe do të vazhdojnë në fazën e dytë me financim deri në 8 milionë euro secili. Në fazën përfundimtare, deri në tre ekipe mund të marrin deri në 15.5 milionë euro secili.
Costard tha se agjencia pret “disa qindra deri në mijëra aplikime” nga e gjithë Evropa, shkruan Euronews.