Trepça shkruan histori, titulli i tretë radhazi - Gazeta Express
string(46) "trepca-shkruan-histori-titulli-i-trete-radhazi"

Basketboll

Gazeta Express

20/05/2026 22:30

Trepça shkruan histori, titulli i tretë radhazi

Basketboll

Gazeta Express

20/05/2026 22:30

Trepça ka vazhduar dominimin në elitën e basketbollit të Kosovës, duke u shpallur kampione për të tretin vit radhazi. Skuadra mitrovicase e siguroi titullin të mërkurën mbrëma në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren, ku mposhti Bashkimin me rezultat bindës 98:78 në finalen e katërt të “play-off”-it.

Me këtë fitore, Trepça e mbylli serinë finale me rezultat të pastër 4:0, duke mos i dhënë asnjë mundësi skuadrës prizrenase për rikthim. Për “xehetarët” ky është titulli i shtatë në histori të klubit dhe i treti rresht, duke e konfirmuar epërsinë e tyre në basketbollin kosovar.

Falë këtij triumfi, Trepça tashmë bëhet skuadra e dytë më e suksesshme në historinë e basketbollit të Kosovës, duke e kaluar Pejën, e cila ka gjashtë tituj. Në krye mbetet Sigal Prishtina me 14 tituj kampioni.

Trepça i ka fituar titujt kampion në vitet 1993, 2000, 2001, 2012, 2024, 2025 dhe 2026, ndërsa ky sukses e vendos klubin nga Mitrovica në një periudhë të artë të historisë së tij.

Bashkimi, në anën tjetër, mbetet me një titull kampioni, të fituar në vitin 2018. Skuadra prizrenase ishte finaliste edhe në edicionin e kaluar, por edhe atëherë u mposht nga Trepça.

Seria finale nisi në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, ku Trepça fitoi dy ndeshjet e para me rezultatet 84:79 dhe 93:83, në një atmosferë të jashtëzakonshme me mbi tre mijë shikues në tribuna. Ndeshja e tretë u zhvillua në “Sezai Surroi”, ku palestra ishte e mbushur plot dhe tifozët vendas krijuan atmosferë të zjarrtë, por kjo nuk i ndihmoi basketbollistët e Bashkimit, pasi Trepça triumfoi 84:80.

Në finalen e katërt, Bashkimi e nisi më mirë ndeshjen, duke krijuar shpejt epërsi 9:0 dhe më pas 11:2. Megjithatë, skuadra e trajnerit Adis Beqiragiq reagoi shpejt, barazoi rezultatin në 13:13 pesë minuta para fundit të çerekut të parë dhe më pas kaloi në epërsi, të cilën nuk e lëshoi deri në fund.

Trepça e mbylli çerekun e parë në avantazh 30:22, ndërsa në pushim shkoi me 12 pikë epërsi, 52:40. Në pjesën e dytë, mitrovicasit e thelluan edhe më shumë rezultatin. Pas çerekut të tretë rezultati ishte 77:63, ndërsa në fund Trepça festoi fitore të thellë 98:78.

Te Trepça u dalluan disa lojtarë me paraqitje të rëndësishme. Akili Vining realizoi 13 pikë, ndërsa Drilon Hajrizi dhe Ja’Cori Payne shtuan nga 12 pikë. Mikaile Tmushiq kontribuoi me 11 pikë, gjashtë kërcime dhe dy asistime, ndërsa Mustapha Amzil dhe Kenneth Hasbrouck e mbyllën ndeshjen me nga dhjetë pikë. Shawn Jones pati nëntë pikë dhe pesë kërcime.

Te Bashkimi, më i miri ishte Ike Nwamu me 18 pikë, katër kërcime dhe tri asistime, por paraqitja e tij nuk mjaftoi për ta shmangur humbjen.

Në rrugën drejt titullit, Trepça eliminoi Pejën në gjysmëfinale të “play-off”-it, ndërsa Bashkimi arriti në finale pas triumfit ndaj Borës së Prishtinës. Megjithatë, në serinë vendimtare, skuadra mitrovicase tregoi më shumë cilësi, përvojë dhe stabilitet.

Ky titull vjen vetëm pak muaj pasi Trepça kishte fituar edhe Kupën e Kosovës, po ndaj Bashkimit, për herën e pestë radhazi dhe të nëntën në histori. Me dy trofe të tjerë në një sezon, “xehetarët” e mbyllin edicionin si skuadra dominuese e basketbollit kosovar. /GazetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement