Përveç nëse ndodh një surprizë e madhe, trajneri i ardhshëm i Real Madrid do të jetë José Mourinho, ndërsa Álvaro Arbeloa pritet të largohet në fund të sezonit. Edhe pse ardhja e Mourinhos mund të vonohet për shkak të zgjedhjeve në klub, portugezi tashmë ka nisur planifikimet për sezonin e ardhshëm në La Liga.
Sipas raportimeve, Mourinho ka arritur marrëveshje për një kontratë dyvjeçare me “Los Blancos”, me një zgjatje automatike edhe për një vit tjetër nëse fiton titullin kampion në La Liga. Ai pritet të sjellë dy ndihmës trajnerë nga Benfica dhe ka kërkuar fuqi të plotë në përzgjedhjen e lojtarëve, si dhe rol në politikën e transferimeve të klubit.
Objektivi kryesor i Real Madrid këtë sezon është afrimi i një mesfushori, ndërsa emri më i lidhur me këtë pozitë ka qenë Rodri i Manchester City. Megjithatë, sipas “Cadena Cope”, Mourinho ka kërkuar transferimin e mesfushorit të Sporting CP, Morten Hjulmand.
Reprezentuesi danez ka qenë i lidhur edhe më parë me Atlético Madrid dhe Barcelona, ndërsa klubi portugez pritet të kërkojë rreth 50 milionë euro për ta lënë të lirë. Hjulmand aktualisht ka edhe dy vite kontratë në Lisbonë, situatë që zakonisht i shtyn klubet të shqyrtojnë oferta ose t’i ofrojnë rinovim kontrate.
26-vjeçari ka kaluar tri sezonet e fundit në Portugali, pasi u transferua nga Lecce për 19.5 milionë euro në vitin 2023. I dalë nga akademia e FC Copenhagen, ai u transferua si adoleshent te Admira Wacker në Austri, ku kaloi tri vite para kalimit në Serie A për 2.5 milionë euro.
Deri tani, Morten Hjulmand ka zhvilluar 27 ndeshje me kombëtaren e Danimarkës dhe është kthyer në një nga lojtarët kyç të Sportingut, ku tashmë mban edhe shiritin e kapitenit. Në mesin e kritikave për mungesë lidershipi në zhveshtoren e Real Madridit, danezi mund të sjellë pikërisht këtë element te madrilenët.