Real Madridi raportohet se ka finalizuar planin për të njoftuar rikthimin sensacional të José Mourinhos në “Bernabéu” në fillim të javës së ardhshme.
Trajneri portugez është gati të largohet nga Benfica për të marrë drejtimin e “Los Blancos”, që po kërkojnë rindërtim pas një sezoni zhgënjyes pa trofe.
Sipas “ESPN”, Real Madridi planifikon ta zyrtarizojë Mourinhon si trajner të dielën ose të hënën, menjëherë pas përfundimit të sezonit në La Liga.
Madrilenët presin Athletic Clubin në “Bernabéu” të shtunën, në ndeshjen e fundit të sezonit 2025/26.
Ky rikthim do të shënonte një ribashkim të madh mes klubit dhe trajnerit që drejtoi Real Madridin nga viti 2010 deri më 2013.
Mourinho tashmë ka nisur t’i japë lamtumirën Benficas, ku kaloi sezonin e fundit.
Edhe pse më parë kishte deklaruar se kishte “99 për qind gjasa” të qëndronte në Lisbonë, duket se oferta e Real Madridit ka qenë e parezistueshme.
Mourinho thuhet se ka arritur marrëveshje verbale me klubin për një kontratë dyvjeçare.
Dokumentet ende nuk janë nënshkruar, por “Special One” tashmë ka folur publikisht për të ardhmen e tij pas përfundimit të sezonit në Portugali.
Presidenti Florentino Pérez ka vendosur t’i rikthehet Mourinhos pasi Real Madridi përfundoi pas Barcelonës në La Liga dhe u eliminua në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.
“Nuk kam dëgjuar ende asgjë nga Real Madridi, por askush prej nesh nuk është naiv dhe ka bisedime mes [agjentit tim] Jorge Mendes, presidentit dhe drejtuesve të klubit,” deklaroi së fundmi Mourinho.
Ai shtoi: “Do të flas personalisht me Real Madridin javën e ardhshme dhe atëherë do të marr vendimin tim. Deri tani ka pasur vetëm bisedime mes Real Madridit dhe Jorge Mendes, jo me mua”.
Ndërkohë, Florentino Pérez shpalli zgjedhjet presidenciale javën e kaluar, me kandidatët potencialë që kanë afat deri këtë të shtunë, më 23 maj, për të hyrë në garë.
Pérez ka konfirmuar tashmë se do të kandidojë sërish, ndërsa biznesmeni Enrique Riquelme deklaroi të hënën se do të vendosë “brenda dy ose tre ditësh” nëse do të hyjë në garë.
Nëse Pérez nuk ka kundërshtar, ai do të rizgjidhet automatikisht. Në rast se Riquelme kandidon, atëherë do të zhvillohet një fushatë zgjedhore.
Burime për “ESPN” kanë bërë të ditur se Pérez po mendon të përfshijë një klauzolë në kontratën e Mourinhos, e cila do t’i lejonte Riquelmes – nëse fiton zgjedhjet – të mos vazhdojë me trajnerin portugez dhe të zgjedhë një kandidat tjetër.
Megjithatë, Pérez mbetet figura kryesore pas rikthimit të Mourinhos, duke e vlerësuar atë për rritjen e konkurrueshmërisë së klubit dhe për ndërtimin e themeleve të suksesit që Real Madridi shijoi për më shumë se një dekadë./GazetaExpress/