Superylli i Real Madridit, Kylian Mbappé, javën e kaluar kritikoi trajnerin Alvaro Arbeloa pas fitores 2-0 ndaj Real Oviedos, por francezi nuk duket se ka probleme vetëm me trajnerin.
Sulmuesi 27-vjeçar ka qenë në qendër të vëmendjes javët e fundit për një mungesë të supozuar përkushtimi, diçka që ai vetë e ka mohuar publikisht.
Mbappé bëri një paraqitje të papritur para mediave javën e kaluar, ku deklaroi se Arbeloa i kishte thënë se ishte zgjedhja e katërt në sulm.
Ai gjithashtu mbrojti vendimin për të kaluar pushimet në Sardenjë me të dashurën e tij Ester Exposito para ndeshjes ndaj Espanyolit.
Javën e kaluar u raportua se drejtuesit e Real Madridit ishin të shqetësuar për sjelljen e tij, ndërsa presidenti Florentino Pérez pritej të zhvillonte një takim me francezin për të diskutuar situatën.
Sipas “El Chiringuito”, Mbappé mendon se Arbeloa e ka trajtuar keq kohët e fundit dhe se vendimi për ta lënë në stol në “El Clasico” ishte mungesë respekti.
Pasi mësoi se nuk do të ishte titullar, Mbappé më pas u largua nga skuadra duke u ankuar për dhimbje në kofshë.
Ai e krahason situatën e tij me atë të Thibaut Courtois, i cili gjithashtu po rikuperohej nga një lëndim, por u rikthye menjëherë në formacion dhe madje shkoi edhe me pushime gjatë rikuperimit.
Raporti shkon edhe më tej, duke pretenduar se Mbappé dhe njerëzit pranë tij besojnë se Vinicius Junior po rrjedh informacione negative për të në media, në përpjekje për ta paraqitur francezin si “problemin” e skuadrës.
Sipas tyre, Vinicius po përpiqet të fitojë betejën për të qenë figura kryesore dhe ylli absolut i ekipit përpara Mbappés.
Vlen të kujtohet se braziliani pritet të negociojë një kontratë të re me Real Madridin dhe thuhet se po kërkon të njëjtën pagë si francezi.
Mbappé dhe disa lojtarë të tjerë të Real Madridit, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë, gjithashtu fajësojnë Viniciusin për shkarkimin e Xabi Alonsos, duke besuar se ai ndikoi që trajneri bask të largohej.
I njëjti grup lojtarësh mendojnë se Alonso ishte një trajner shumë më i mirë se Arbeloa.
Kjo nuk është hera e parë që raportohet se largimi i Xabi Alonsos ka krijuar përçarje brenda zhveshtores së Real Madridit./GazetaExpress/
Karnavali “Golden Eagle” tashmë ka zyrtarizuar datat për edicionin e vitit 2026, duke rikthyer atmosferën festive që çdo vit...