Drejtori sportiv i Borussia Dortmund, Ole Book, ka ndryshuar strategjinë e merkatos së klubit, duke zbutur interesin për një transferim të përhershëm të Jadon Sanchos dhe duke i dhënë përparësi afrimit të një mesfushori krijues.
Klubi gjerman po shikon 19-vjeçarin e Arsenalit, Ethan Nwaneri – aktualisht i huazuar te Marseille – si zëvendësuesin ideal të Julian Brandt, megjithëse vlerësimi i lartë i lojtarit mbetet një pengesë e madhe.
Për këtë arsye, interesimi për Sancho është “vënë në pauzë”, ndërsa Dortmundi po eksploron drejtime të reja taktike.
Edhe pse anglezi mbetet një opsion i mundshëm për më vonë gjatë verës, ai nuk është më prioriteti kryesor i klubit.
Ky ndryshim lidhet me sistemin taktik të Dortmundit me tre mbrojtës, ku skuadra kërkon më shumë një “numër 10” fleksibël që mund të zhvendoset edhe në krah, sesa një anësor tradicional.
Duke folur për “Sky Sport”, Book tha: “Mund të jetë herët ose vonë. Të gjithë, përfshirë stafin teknik, do të preferonim të bënim një ose dy transferime para fillimit të përgatitjeve verore”.
Në përpjekje për të zëvendësuar Brandt, Dortmundi ka rikthyer interesin për Nwanerin, i cili po përfundon huazimin te Marseille.
Ai shihet si një profil ideal për rolin krijues në mesfushë.
Klubi kishte humbur garën për të një vit më parë kur ai rinovoi me Arsenal deri në vitin 2030.
Edhe pse është i hapur për një kalim në Bundesliga, një marrëveshje mbetet e komplikuar për shkak të çmimit të lartë dhe vështirësisë së huazimit të ri.
Përveç tij, Dortmund po ndjek edhe talentin 16-vjeçar të Hertha Berlin, Kennet Eichhorn, i cili ka tërhequr interes edhe nga Manchester City, Bayern Munichu dhe Bayer Leverkuseni.
Ole Book ka pranuar se klubi e vlerëson shumë lojtarin, duke thënë: “Ai ka kreativitet të veçantë. E njohim mirë dhe na pëlqen shumë, por si shumë klube të tjera. Pjesa tjetër mbetet për t’u parë”.
Eichhorn ka një klauzolë lirimi prej rreth 9 milionë eurosh, por kostoja totale e transferimit do të ishte e lartë për moshën e tij, duke përfshirë bonuset dhe pagat./GazetaExpress/
Karnavali “Golden Eagle” tashmë ka zyrtarizuar datat për edicionin e vitit 2026, duke rikthyer atmosferën festive që çdo vit...