Në vendimin e vitit 2013, Komuna kishte bërë këmbimin edhe të dy pronave me “New Company-Kosovashped” dhe “Bingo Benz”. Më pas, për shkak të problemeve ligjore, vendimi për Kosovashped u ndryshua dhe iu dha një pronë tjetër, jo ajo e përcaktuar fillimisht në 2013.
Kështu, në takimin me banorët, ata e kanë pyetur Arben Kqirën pse e njëjta praktikë nuk po zbatohet edhe në rastin e Mefail Cakolli, ndërsa zyrtari komunal është përgjigjur se në atë rast kanë ekzistuar interesa tjera.
“Banori 3:Pse a po e lidhum na këtë ndryshim plotësimin, pse e keni bë për KosovaShped-in e për neve s’duhet me e bo? Shumë thjeshtë e keni nxjerrë një vendim fallco e din ti shumë mirë. Ti je shef i kësaj zyre ligjore.
Kqira: S’jam kanë në atë kohë.
Banori 3: Zyra ligjore e ka bo, ti je në këtë zyrë tash edhe ti tash si shef i zyrës duhesh me nxjerrë vendimin me i përmirësuar gabimet e tjerëve, nuk mundeni me thanë jo unë se kam bo tash duhet me e kthy atë, se nuk mundemi me i kthy drejtorët ose shefat tjerë që janë kanë për me e zhbë atë.
Banori 3:…Pse e ke nxjerrë qeta për KosovaShepedin? Shumë thjeshtë, pse?
Kqira: Po interesat e tilla janë sillë.
Banori 3: Aa d.mth. këtu s’ka interesa a. Jo s’ka se ia keni dhanë njeriut të juaj.
Banori 1: E tash nuk je ti real
Banori 3: Tash s’po bohesh ti real.
Kqira: Pse?
Banori 3: Se s’po bohesh real, cilat interesa, cilat interesa? Kjo tokë për çka jena tu fol unë edhe ti qetashi, kjo tokë u ble hala pa lindë unë edhe ti a po kupton.
Betimi për Drejtësi ka tentuar të marrë një sqarim nga Kqira por ai nuk është përgjigjur..
Komuna e Prishtinës ka paraqitur revizion në Gjykatën Supreme, duke e vazhduar edhe më tej këtë betejë ligjore. Kurse banorët vazhdojnë të presin realizimin e një të drejte që tashmë u është njohur nga Apeli. Mes dokumenteve të paqarta, vendimeve kontradiktore dhe dyshimeve për shkelje ligjore, mbetet një e vërtetë e thjeshtë drejtësia e vonuar rrezikon të kthehet në drejtësi të mohuar. Prandaj, barra mbetet mbi institucionet gjykatat për të vendosur standard të qartë ligjor dhe prokurorinë për të siguruar që çdo dyshim për keqpërdorim të hetohet deri në fund.
Në vitin 2013, Komuna merr vendim për këmbimin e një pjesë të prones në Bregun e Diellit, që prek katër familje, me një pronë tjetër në Parkun e Gërmisë, që ishte në pronësi të qytetarit Mefail Cakolli.
Prona mbi 16 ari në Parkun Nacional të Gërmisë, Park ky i mbrojtur që nga viti 1987, këmbehet me po aq ari tokë me pronën milionëshe në Breg të Diellit. Ndërsa, dokumentet që ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, tregojnë që në fakt toka në Gërmi, i ishte eksproprijuar madje edhe paguar pronarit serb para se të kalonte në pronësi të Cakollit.
Për më shumë, ndiqeni hulumtimin “Skema kriminale: Si u bë kompensimi i dyfishtë i pronës në Gërmi me pronën e qytetarëve në Bregun e Diellit?”, i cili transmetohet në T7 dhe platformat online të “Betimi për Drejtësi”.