Raportimet nga Italia tregojnë se e ardhmja e disa drejtuesve të Milanit është vënë në dyshim, për shkak të krizës së rezultateve në “San Siro”.
Klubi aktualisht ndodhet në vendin e katërt në Serie A, në kuotë të barabartë pikësh me Romën, dhe rrezikon seriozisht të mbetet jashtë Ligës së Kampionëve në dy ndeshjet e fundit të sezonit 2025-26.
Pavarësisht se gjatë pjesës më të madhe të sezonit Milani ishte në vendin e dytë, rënia e formës ka qenë e madhe, me vetëm dy fitore në tetë ndeshjet e fundit të kampionatit.
Sipas “La Gazzetta dello Sport”, situata është përshkruar si një “kolaps i plotë”, duke rritur presionin mbi strukturën drejtuese të klubit.
Tifozët e “Curva Sud” kanë reaguar ashpër ndaj CEO-s Giorgio Furlani, duke kërkuar largimin e tij dhe duke e konsideruar përgjegjës për dështimet sportive të klubit.
Por sipas raportimeve, në dyshim nuk është vetëm Furlani. Edhe Igli Tare, Geoffrey Moncada dhe Zlatan Ibrahimovic janë pjesë e strukturës që po përballet me kritika të forta për sezonin zhgënjyes.
Në këtë moment, fokusi i klubit është të sigurojë kualifikimin në Champions, pasi mosarritja e këtij objektivi do të detyronte Milanin të ulte ambiciet për të ardhmen.
Trajneri Massimiliano Allegri gjithashtu mund të jetë në rrezik nëse klubi nuk arrin objektivin kryesor të sezonit.
Milan do të përballet me Genoan dhe Cagliarin në ndeshjet e fundit, që mund të përcaktojnë të ardhmen e gjithë projektit./GazetaExpress/